75 Mall Live Search
16:29 / E Martë, 03 Qershor 2025 / MSH

Ambasada amerikane, për “Defender Europe”: Po theksohet roli në rritje i Kosovës në sigurinë globale

E ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Kosovë, Anu Prattipati, vizitoi sot ushtrimet e “Defender Europe”, në Babaj të Bokës.

Përmes një njoftimi, Ambasada deklaroi se gjatë vizitës, Prattipati u shoqërua nga komandanti i divizionit të 28-të të Gardës kombëtare të Iowas, gjeneralmajor Michael Wegscheider, dhe komandanti i Gardës kombëtare të Iowas, gjeneralmajor Stephen Osborn, shkruan IndeksOnline.

“Mbi 960 trupa të FSK-së po stërviten me SHBA-në dhe partnerët e saj, duke theksuar rolin në rritje të Kosovës në sigurinë globale” thuhet në njoftimin e Ambasadës.

Në anën tjetër, edhe gjeneralmajori Wegscheider u shpreh tejet i lumtur që po merr pjesë në këtë organizim.

“Në çdo detyrë thelbësore misioni që kemi vendosur në listë për ta ushtruar dhe verifikuar, kemi pasur sukses. Sipas mendimit tim, kemi dëshmuar ndërveprueshmëri të plotë. Dhe do ta përfundoj me këtë. Kam qenë këtu shumë herë, në këtë vend të bukur. Çdo herë që kthehem, mbetem i impresionuar. Kam kaluar disa vite të jetës sime këtu. Heroi i vërtetë i këtij ushtrimi, nga 18 vendet që kanë marrë pjesë, me gjak, djersë dhe shumë stres, heroi i vërtetë është kombi i Kosovës. FSK-ja, stafi i Gjeneral Jasharit, oficerët dhe nënoficerët, por më e rëndësishmja ushtarët e FSK-së që ndodhen 5,000 metra më poshtë në këtë luginë në jug, duke u djersitur dhe duke dëshmuar aftësinë dhe vendosmërinë e tyre të fuqishme. Për ne, ka qenë një kënaqësi e jashtëzakonshme të jemi këtu dhe mezi presim të punojmë përsëri me të gjitha vendet së shpejti”, tha ai.