16:30 / E Mërkurë, 16 Tetor 2019 / indeksADMonline

Ambasada britanike i përgjigjet Vuçiq-it pasi reagoi për flamurin shqiptar që shihej në fotografinë e Kurtit

Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka dalë haptazi me një deklaratë pas reagimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq rreth një fotografie të publikuar nga një prej takimeve të Albin Kurtit.

Vuçiq reagoi lidhur me një fotografi ku shihej ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbot dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Vuçiq tha se Kurti priti në takim ambasadorin britanik me flamurin kombëtarë, duke pyetur se në cilin shtet ka fituar Kurti dhe partia e tij dhe se flamuri i cilit shtet është pranë tij.

“Pyetje për ambasadorin e Britanisë së Madhe: Në cilat zgjedhje dhe shtet ka fituar Kurti dhe partia e tij, dhe flamuri i cilit shtet është ai pranë të cilit Ekselenca juaj jeni fotografuar me Kurtin? Do të vazhdojë t’iu pyes derisa të marrë përgjigje”, shkroi Vuçiq në Twitter.

Kurse Ambasada e Britanisë së Madhe iu përgjigj atij duke thënë se është detyrë e Ambasadës të takohet me aktorët kryesore në politikën kosovare dhe sen nuk kanë zgjedhur se si bashkëbiseduesi I tyre i rregullon dhomat e tij.

“Një foto e fundit e Ambasadorit që takohet me një nga liderët politikë në Kosovë ka tërhequr vëmendjen në rajon. Është detyrë e Ambasadës të takohet me aktorët kryesorë politikë në Kosovë. Ne nuk kemi zgjedhur se si bashkëbiseduesi ynë, duke vepruar me një kapacitet partie, i rregullonte dhomat e tij”, thuhet në reagimin e Ambasadës./Indeksonline/