Ambasada britanike në Kosovë: S’është koha për manovrime politike, COVID-19 është detyra kryesore

Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka deklaruar se angazhimi rreth sfidës me pandeminë COVID-19, aktualisht është detyra kryesore me të cilën po përballen qeveritë në të gjithë rajonin dhe kudo në botë.
Tutje u tha se do të kërkohet vendosshmëri, qëndrueshmëri dhe këmbëngulje nga të gjitha institucionet e Kosovës dhe se tani nuk është koha për manovrime politike, por për bashkëpunim të brendshëm dhe me rajonin.
Gjithashtu u theksua se mbështesin vendimin e Qeverisë në detyrë për heqjen e taksës 100% ndaj mallrave serbe dhe atyre të Bosnje Hercegovinës.
“Pas votës së mosbesimit në Kuvend, Mbretëria e Bashkuar fton që Kushtetuta të vazhdojë të respektohet, dhe që vendimet të mirren shpejt që t’i mundësohet Qeverisë në detyrë, ose asaj të re që mbrojtja e jetës së qytetarëve të jetë konsiderata kryesore. Ne, Mbretëria e Bashkuar, jemi pranë popullit të Kosovës dhe të rajonit gjatë kësaj krize globale.Ne përshëndesim vendimin e Qeverisë në detyrë për heqjen e tarifave në mallrat nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina. Ne ritheksojmë përkrahjen e qëndrueshme të Mbretërisë së Bashkuar për dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në mes Kosovës dhe Serbisë, dhe besojmë se mospajtimet, përfshirë barrierat jotarifore, mund të zgjidhen në këtë kornizë. Dialogu duhet të dërgojë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse, përfundimtare, juridikisht detyruese, që respekton integritetin territorial dhe normalizon marrëdhëniet bilaterale, që është e pranueshme për qytetarët e të dy vendeve dhe që do të ofrojë përfitime afatgjata për ta dhe për të gjithë rajonin. Me përkrahjen e partnerëve ndërkombëtar, Kosova dhe Serbia duhet të ndërmarrin hapat e nevojshëm për vazhdimin e dialogut”, thuhet tutje në njoftim, transmeton Indeksonline.
Ambasada britanike bëri thirrje drejtë qeverisë në detyrë, ose asaj të re, që në të njëjtën kohë të punojë në arritjen e prioriteteve afatgjata të njerëzve, të reflektuara në zgjedhjet e fundit të tetorit, duke u fokusuar në fuqizimin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit./Indeksonline/