20:52 / E Premte, 13 Maj 2022 / OSH

Ambasada e Francës në Prishtinë me qëndrim ndryshe nga ajo në Beograd: E ardhmja e Kosovës është në KiE

Ambasada e Francës në Prishtinë për dallim nga ajo në Beograd thotë se vendimi për aplikimin në Këshillin e Evropës i takon Kosovës si shtet sovran.

Në një njoftim të ambasadës thuhet se e ardhmja e Kosovës është të bëhet anëtare e këtij këshilli, por se prioritet aktual është rinisja e dialogut.

“Prioriteti aktual është rinisja e dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, i cili do të kontribuojë në afrimin e tyre evropian dhe në stabilizimin afatgjatë të Ballkanit”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Tutje, ambasada franceze u ka bërë thirrje Kosovës e Serbisë që të angazhohen plotësisht në këtë drejtim dhe të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm që mund të nxisë tensione.

Kujtojmë se gjatë ditës, ambasadori i Francës në Beograd Pierre Cochard në një media serbe tha se aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është i njëanshëm dhe si i tillë Franca nuk e mbështet.