Ambasada e Kosovës nderon Bundeswehrin gjerman

Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Beqë Cufaj i shoqëruar nga Gani Dreshaj dhe kolonel Xhavit Sadriaj kanë vizituar sot Memorialin e ushtarëve të Bundeswehrit gjerman të kazermës Henning von Tresckow.
Të shoqëruar nga ish-komandantët e KFOR-it, gjeneralët Roland Kather dhe Erhard Bühler, Cufaj dhe Dreshaj kanë falënderuar ushtrinë gjermane për ndihmën e dhënë në çlirimin e Kosovës.
“Sot është dita e Paqes në Republikën e Kosovës. Para 21- vjetësh, trupat e NATO-s, pjesë e të cilave ishte edhe Bundeswehri gjerman, marshuan në vendin tonë në mënyrë që të përmbyllnin luftën e përgjakshme të Kosovës. Ambasadori Beqë Cufaj, sot i shoqëruar nga ish-komandantët e KFOR-it, gjeneralët Roland Kather dhe Erhard Bühler si dhe me atasheun e Republikës së Kosovës në ambasadë në Berlin, kolonel Xhavit Sadriaj dhe deputetin Gani Dreshaj vizituan Memorialin e ushtarëve të Bundesëehrit gjerman të kazermës Henning von Tresckow në kompleksin “Mali i Kujtimeve”, kushtuar ushtarëve të rënë gjerman në misionet paqësore.
Me këtë rast, Ambasadori Cufaj, vendosi kurorën kushtuar këtyre ushtarëve dhe bashkë me ish-Komandantët e KFOR-it, Gjeneralët Kather dhe Bühler shprehu falenderimet e veçanta për ushtrinë dhe popullin gjerman” thuhet në njoftimin e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Gjermani./Indeksonline/

