Ambasada e SHBA në Tiranë zbardh takimet e zyrtarit të lartë të DASH në Shqipëri: Fokus lufta ndaj narkotrafikut
Ambasada Amerikane në Tiranë përmes një postimi në “Facebook” ka ndarë zbardhur detaje nga takimet e zhvilluara këtë të mërkurë mes drejtorit të Zyrës për Europën dhe Azinë i Byrosë së Çështjeve Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit të Departamentit të Shtetit, Mark Tervakoski me disa përfaqësues të lartë në Shqipëri.
Ambasada thekson se SHBA-ja së bashku me partnerët e saj është e angazhuar për të luftuar kriminelët që dëmtojnë qytetarët, kërcënojnë kufijtë dhe cenojnë sigurinë kombëtare. Në postim, Ambasada ka ndarë edhe pamje nga takimi ku e pranishme ishte edhe ministrja, Albana Koçiu, raporton Euronewsalbania.
“Duke shfaqur forcën e partneritetit në fushën e zbatimit të ligjit mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë dhe luftën e palodhur të Administratës Trump kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe trafikimit të narkotikëve, Drejtori i Zyrës për Europën dhe Azinë i Byrosë së Çështjeve Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit të Departamentit të Shtetit, Mark Tervakoski, u takua me përfaqësues të zbatimit të ligjit, drejtësisë, shoqërisë civile dhe misioneve ndërkombëtare në Shqipëri.
Shtetet e Bashkuara janë të përqendruara në ofrimin e aftësive, mjeteve dhe bashkëpunimit në Shqipëri dhe në rang global për partnerët që ndajnë angazhimin tonë për të luftuar kriminelët që dëmtojnë qytetarët e vendeve tona, kërcënojnë kufijtë tanë dhe cenojnë sigurinë tonë kombëtare”, shkruan Ambasada Amerikane.

