75 Mall Live Search
15:08 / E Enjte, 04 Dhjetor 2025 / F.R

Ambasada gjermane: Media është shtylla e katërt e demokracisë

Ambasada gjermane në Prishtinë ka riafirmuar rëndësinë thelbësore të mediave në një shoqëri demokratike, përmes një postimi të publikuar në Facebook. Ambasadori gjerman, Rainer Rudolph, mori pjesë në Konferencën e Transmetuesve të Shërbimeve Publike në Evropën Juglindore, organizuar nga Konrad-Adenauer-Stiftung, ku foli për sfidat me të cilat përballen mediat sot.

Sipas ambasadës, mediat e shërbimit publik vazhdojnë të përballen me pengesa institucionale dhe buxhetore që kufizojnë funksionimin e tyre, ndërsa mediat e pavarura vuajnë nga tkurrja e tregjeve dhe ulja e financimeve. Në këtë kontekst, dezinformimi dhe ndikimi i teknologjive të reja, përfshirë inteligjencën artificiale, po e ndërlikojnë edhe më shumë peizazhin mediatik.

Ambasadori Rudolph theksoi se forcimi i mediave të shërbimit publik dhe gazetarisë së pavarur është thelbësor që demokracia të zhvillohet dhe të mbetet funksionale.

“Le të punojmë së bashku për të siguruar që media të mbetet një kujdestare e besueshme e së vërtetës”, thuhet në mesazhin e Ambasadës gjermane.