75 Mall Live Search
22:56 / E Premte, 23 Janar 2026 / MSH1

Ambasada zvicërane: Ligjëratat për Specialen nuk promovojnë narrativa të caktuara

Ambasada e Zvicrës ka sqaruar mbështetjen e saj për programin e informimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DSK), pas raportimeve se në shkollën “Xhevdet Doda” në Prishtinë është mbajtur një ligjëratë informuese për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në sqarimin e saj, ambasada bën të ditur se që nga viti 2018, Zvicra ka mbështetur aktivitetet e informimit të DSK-ve, të cilat janë themeluar përmes një marrëveshjeje ndërkombëtare të ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës, duke pasqyruar procesin legjislativ dhe mandatin demokratik të këtij institucioni.

Sipas ambasadës, Dhomat e Specializuara të Kosovës janë një organ gjyqësor i pavarur dhe përmes Zyrës së Informimit angazhohen me një gamë të gjerë akterësh për të ndarë informacione publikisht të disponueshme mbi mandatin dhe punën e tyre, për të dëgjuar pikëpamjet e qytetarëve dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve, pa promovuar narrativa të caktuara.

Më tej thuhet se Programi i Informimit zbatohet në bashkëpunim të ngushtë me organizatat e shoqërisë civile, të cilat ndihmojnë në lehtësimin e dialogut dhe inkurajimin e një debati publik të informuar mbi çështje me interes publik.

Ambasada e Zvicrës ka theksuar se mbështetja e saj ka për qëllim transparencën, informimin e qytetarëve dhe forcimin e sundimit të ligjit, dhe nuk nënkupton ndikim në përmbajtjen e aktiviteteve apo promovim të qëndrimeve të caktuara.