75 Mall Live Search
18:37 / E Premte, 23 Qershor 2023 / MSH

Ambasadori Ajeti takohet me atletët që po përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Olimpike Speciale

Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ka pritur sot në takim atletët nga Kosova, të cilët po marrin pjesë në Lojërat Olimpike Speciale Botërore Berlin 2023.

Ai i takua me Leart Gashin, Arta Avdylin, Lirika Sadikun dhe Florent Hazirin.

“Ngjyrat e Republikës tonë mbrohen në mënyra e sporte të ndryshme, ato përfaqësohen nga vajzat dhe djemtë tanë, të cilët me talentet e tyre i janë kuptim suksesit të shtetit tonë. Duhet të japim maksimumin tonë, që askush të mos jetë pjesë e margjinalizuar e Republikës tonë” tha mes të tjerash ambasadori Ajeti.

Ky është njoftimi i plotë i tij:

Kënaqësi e veçantë të prisnim në ambientin e Ambasadës tonë në Berlin atletët Leart Gashi, Arta Avdyli, Lirika Sadiku dhe Florent Haziri, të cilët po marrinë pjesë në Lojërat Olimpike Speciale Botërore Berlin 2023, një prej ngjarjeve sportive më të mëdha për sportistët me aftësi të veçanta.

Përpos atmosferës së këndshme që këta katër atletë sot na sollën, Florenti na solli edhe Medaljen e Artë, i cili e ka fituar në hedhjen e gjyles në nivelin D, divizioni 2.

Ngjyrat e Republikës tonë mbrohen në mënyra e sporte të ndryshme, ato përfaqësohen nga vajzat dhe djemtë tanë, të cilët me talentet e tyre i janë kuptim suksesit të shtetit tonë. Duhet të japim maksimumin tonë, që askush të mos jetë pjesë e margjinalizuar e Republikës tonë.

Të drejtat e njeriut kanë kuptim jo vetëm kur të gjithë jemi të barabartë para ligjit, por edhe kur çdo qytetari ia ofrojmë ndjenjën se, ai/ajo është pjesë thelbësore e shoqërisë.

Faleminderit pafund ekipit mbështetës, përkatësisht Olimpiadës Speciale të Kosovës znj. Drita Dushi Parduzi, znj. Kimete Bekaj, znj. Igballe Asllani Potera dhe z. Agron Dushi, si dhe dhe familjarëve të katër atletëve.