75 Mall Live Search
17:37 / E Premte, 06 Shtator 2024 / MSH

Ambasadori Ajeti takohet me deputetin gjerman

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, është takuar me deputetin gjerman, Michael Roth.

Ajeti dhe Roth patën një mëngjes pune bashkë, ku mes të tjerash diskutuan mbi temat dhe punët e përbashkëta që i presin.

Duke e dokumentuar takimin me një fotografi të përbashkët, Ajeti u shpreh se takimi ishte “thelbësor dhe produktiv”, shkruan Indeksonline.

“Sot, dita nisi në mënyrën më të mirë të mundshme me një mëngjes pune me mikun tim Michael Roth. Si gjithmonë, një takim thelbësor dhe produktiv, duke diskutuar mbi temat dhe punët që na presin” shkroi Ajeti në Facebook.

Fotografia e Ajetit me Roth vjen si përgjigje ndaj komenteve të sotme të Vuçiqit, i cili tha se po ta dëgjonte politikanin gjerman, Kosova sot do të ishte pjesë e OKB-së dhe se Serbia s’do të ekzistonte ekonomikisht.

Vuçiq kishte thumbuar Roth, duke thënë mirë që e ka lënë politikën meqë sipas presidentit serb “s’ka qenë i suksesshëm”.

Ndaj këtyre deklarimeve të Vuçiq, ish-ministri gjerman është përgjigjur me një fotografi me ambasadorin e Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti.

Roth ka thënë se Ballkani Perëndimor do të mbetet një çështje shumë afër zemrës dhe ka potencuar se do të vazhdojë të flasë kundër nacionalizmit, autoriatarizmit dhe servilizmit ndaj Putinit.