17:42 / E Mërkurë, 26 Janar 2022 / AR

Ambasadori Ajeti takon ish-ministrin gjerman Scharping, politikanin që dikur “bombardonte” Serbinë

Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti sot është takuar me ish-ministrin e Mbrojtjes së Gjermanisë nga SPD, Rudolf Scharping.

Sa ishte ministër, Scharping pati treguar një guxim të jashtëzakonshëm gjatë luftës së Kosovës, duke i prezantuar botës ekzistencën e “Operacionit Patkoi”, planin e koduar ushtarak dhe strategjik të shtetit serb për spastrim etnik dhe zbrazjen e Kosovës nga shqiptarët, raporton Indeksonline.

Ajeti i dorëzoi atij një portret nga vizita e tij në Krushë të Madhe pas çlirimit të Kosovës.

Njoftimi i plotë:

Sot, kishim privilegjin e jashtëzakonshëm të presim për herë të parë në ambientin e ambasadës tonë në Berlin një mysafir të veçantë, z. Rudolf Scharping, ish-ministër i Mbrojtjes së Gjermanisë nga SPD. Gjatë takimit mjaft të frytshëm me ministrin Scharping u bisedua për thellimin dhe avancimin e marrëdhënieve të shkëlqyeshme ndërmjet dy vendeve tona. Një bisedë mbresëlënëse, i cili shumë shpejtë do të vizitojë vendin tonë pas më shumë se 20 viteve.

Në cilësinë e ministrit të Mbrojtjes, ai pati treguar një guxim të jashtëzakonshëm gjatë luftës së Kosovës, duke i prezantuar botës ekzistencën e “Operacionit Patkoi”, planin e koduar ushtarak dhe strategjik të shtetit serb për spastrim etnik dhe zbrazjen e Kosovës nga shqiptarët.

Politikani gjerman me bindje socialdemokrate ishte kundër luftës, por përballë katastrofave të tilla humanitare si ajo në Kosovë, ai tregoi vendosmëri të paparë për t`i dhënë fund masakrave të forcave serbe kundër shqiptarëve. Libri i tij “Wir dürfen nicht wegsehen: Der Kosovo-Krieg und Europa” (Nuk guxojmë të shikojmë mënjanë: Lufta e Kosovës dhe Evropa), i cili do të shohë dritën e botimit në gjuhën shqipe, nuk është një ditar i zakonshëm, por një testament faktesh që duhet lexuar nga gjithsecila dhe gjithsecili.

Ishte vërtetë emocion i veçantë, t`i dorëzoja një portret nga vizita e tij në Krushë të Madhe pas çlirimit të Kosovës. Në këtë portret shihet më së miri ana njerëzore e tij, duke përqafuar dhe ngushëlluar 10-vjeçaren Valbona Duraku, e cila jetonte vetëm me nënën e saj, ngaqë meshkujt dhe burrat e fshatit të shkatërruar krejtësisht tashmë kishin pësuar fatin tragjik nga regjimi i Beogradit. Ky portret është punuar nga duart e artistit kosovar nё Berlin, Berat Hasani.

Përjetësisht mirënjohës për qëndrimin parimor dhe konsistent të ministrit Scharping dhe të Gjermanisë për çlirimin e Kosovës. Nuk jemi vetëm ne që themi “mos harro” për krimet serbe, por edhe miqtë tanë kur bindshëm thonë “nuk guxojmë të harrojmë”. 🇽🇰🤝🇩🇪

Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani/Botschaft der Republik Kosovo