14:52 / E Diele, 05 Gusht 2018 / indeksADMonline

Ambasadori amerikan në Beograd kërkon zgjidhje kreative ndërmjet Kosovës e Serbisë

Ambasadori amerikan në Beograd, ka folur për qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës karshi dialogut mes Kosovës e Serbisë. Scott flet për disa ‘zgjidhje kreative’ që, sipas tij, duhet të dalin nga dialogu, por nuk tregon se për çfarë zgjidhje e ka fjalën.

“SHBA-ja beson se pa normalizimin e raporteve dhe marrëveshjen përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk ka stabilitet dhe përparim në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Scott.

Në një intervistë për Radio Beogradin, Scott tha se interesat amerikane nuk varen nga Presidenti, dhe se qëllimi kryesor mbetet stabiliteti dhe paqja në Ballkan.

“Zgjidhja e problemit të Kosovës kërkon udhëheqës të guximshëm dhe gatishmëri për zgjidhje kreative”, tha ambasadori amerikan në Beograd.

Scott për dialogun ka folur edhe më parë. Ai ka thënë se palët duhet të jenë të gatshme për një kompromis sepse vetëm ashtu mund të arrihet një marrëveshje.

Ditëve të fundit presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka lënë të hapur mundësinë për shkëmbimin e territoreve me Serbinë. Por të cilën ai po e quan si korrigjim të kufijve. Thaçi po zotohet për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën.