75 Mall Live Search
15:06 / E Enjte, 19 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Ambasadori britanik viziton 25 pjesëtarët e FSK-së, që po e mësojnë gjuhën serbe

Ambasadori Britanik Nicholas Abbott ka vizituar sot Togën për Operacione Civile të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Pjesëtarë të FSK-së janë duke marrë pjesë në trajnim të gjuhës Serbe. Janë 25 pjesëtarë që janë duke marrë pjesë në trajnimin që do të zgjatë dy muaj. Qëllimi i këtij projekti është që të promovohet shumë-gjuhësia në institucionet e Kosovës dhe të theksohet rëndësia e mësimit të gjuhës së njëri tjetrit në një shoqëri multi-etnike.
Në ngjarjen e sotme Ambasadori tha: “Marrëdhëniet dhe komunikimi janë pjesë e natyrës njerëzore.

Komunikimi me njëri tjetrin na lejon që njohuritë, ekspertizën dhe këshillat të ndahen në mes komuniteteve të ndryshme.

Mësimi i një gjuhe është vetëm një pjesë e këtij procesi, dhe përmes këtij dedikimi FSK-ja ka demonstruar profesionalizëm dhe që është e hapur ndaj të gjitha komuniteteve.”

Toger Xhevahir Hasanaj theksoi rëndësinë e kursit për ta. “Kursi i gjuhës Serbe na hap rrugë që në të ardhmen të punojmë me qytetarë Serbë të Kosovës. Është shumë me rëndësi të krijojmë raporte të mira dhe të dëshmojmë që ata kanë rëndësi për neve,” tha Hasanaj.

Në vitin 2017, ambasada ka filluar punën së bashku me IOM Kosovo, Qendrën për Iniciativa Sociale, dhe Zyrën e Komisionerit të Gjuhëve për të zhvilluar platformën Voc-up.com për të përkrahur mësimin e gjuhëve në Kosovë.

Platforma mundëson mësimin në internet të gjuhëve Shqipe dhe Serbe. Më shumë se 1000 persona kanë aplikuar për të marrë pjesë në kurset e gjuhës, nga të cilët 692 dëshirojnë të mësojnë gjuhën Serbe, deri sa 364 dëshirojnë të mësojnë gjuhën Shqipe. Nga të gjithë kandidatët 60% janë gra, dhe 86% e tyre janë më të rinj se 35 vjeç.