Ambasadori britanik viziton KQZ-në: I takon popullit të Kosovës të dalë dhe të votojë
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka nisur ditën e diel me një vizitë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Prishtinë, ku është takuar me kryetarin e KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.
Në një njoftim të publikuar pas vizitës, ambasadori ka vlerësuar punën e KQZ-së në proceset e kaluara zgjedhore, si dhe angazhimin e institucioneve të përfshira në organizimin e zgjedhjeve të sotme.
Sipas tij, shumë persona po punojnë prapa skenës për të siguruar një proces demokratik efikas dhe të rregullt, ndërsa ka theksuar se tani i takon qytetarëve të Kosovës të dalin dhe të votojnë.
” E falënderova atë dhe ekipin e tij për punën e shkëlqyer që bënë në ciklin e mëparshëm zgjedhor. U takova me ekipin e IT-së, prokurorin në detyrë dhe koordinatorin e Policisë së Kosovës. I falënderova për përpjekjet e ekipeve të tyre për t’i bërë zgjedhjet e sotme të shkonin pa probleme. Ka kaq shumë njerëz që punojnë pa u lodhur prapa skenave sot për të siguruar një proces demokratik të qetë dhe efikas. Tani i takon popullit të Kosovës të dalë dhe të votojë.”, shkroi ai.

