75 Mall Live Search
14:33 / E Enjte, 25 Dhjetor 2025 / S Z

Ambasadori francez: Kosovës i duhet qeveri me të cilën mund të punojmë

Na duhet një qeveri me kompetenca të plota, ka deklaruar ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot.

Tri ditë para zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ai ka theksuar se ndërkombëtarëve iu duhet një partner në Kosovë, për të punuar për Planin e Rritjes së BE-së, normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe për zhvillimin e Kosovës.

Diplomati francez mirëpret largimin e 50 për qind të masave ndëshkuese ndaj Kosovës, derisa është më i rezervuar në pyetjet se a do të hiqen të njëjtat në tërësi në fillim të vitit të ardhshëm.

“Mesazhi është se na duhet një partner. Ne së bashku jemi mbështetësit tuaj të huaj, miqtë tuaj të huaj. Na duhet një qeveri, një qeveri e plotë, me të cilën do të mund të punonim për Planin e Rritjes, natyrisht, por edhe për shumë çështje të tjera, qoftë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por edhe për zhvillimin e Kosovës, legjislacionin e Kosovës”, thekson ai për Kosova Press.

Kosova nuk arriti të formojë institucionet e reja pas zgjedhjeve të kaluara të 9 shkurtit.

Duke folur për krizën politike dhe mosformimin e institucioneve, diplomati francez thotë se një vit pa një qeveri me mandat të plotë ka qenë i vështirë për Kosovën.

“Ky vit pa një qeveri të plotë ka qenë pak i vështirë, duhet ta them. Jo se nuk kemi qenë në gjendje të punonim, siç thashë, në projektin e impiantit të trajtimit të ujërave të zeza. Ne kemi mundur të punojmë në nivel teknik. Kishte edhe iniciativa të tjera që mund t’i bënim në nivel teknik, por Kosova është një demokraci. Si demokraci, është nevoja për një qeveri të përgjegjshme para parlamentit”, thekson ai.

Bashkimi Evropian ditë më parë vendosi të heqë 50 për qind të masave, derisa u zotua për heqjen e të gjitha masave ndëshkuese ndaj Kosovës deri në fund të muajit janar 2026.

Ky zhvillim, sipas ambasadorit Guérot, është lajm i mirë për Kosovën, pasi do të ecin përpara shumë projekte të rëndësishme për vendin, të cilat ishin bllokuar vitet e fundit.

“Kemi një projekt shumë të rëndësishëm, që është ngadalësuar nga masat, për ndërtimin e një impianti të trajtimit të ujërave të zeza, i cili do të mbulonte Prishtinën, Obiliqin, Fushë Kosovën dhe Graçanicën. Ky është një projekt i përbashkët me Gjermaninë, në fakt. Pra, po pres me padurim që të përshpejtojmë këtë projekt, për të cilin nuk jemi ndalur së punuari kurrë në nivelin teknik. Është vetëm një nga projektet që kemi. Kemi projekte të zhvillimit me Agjencinë Franceze të Zhvillimit, sidomos për të ndihmuar Kosovën me Lojërat Mesdhetare 2030 dhe gjithashtu për ta ndihmuar atë në tranzicionin drejt një energjie më të pastër. Në Prishtinë këtu po shohim mjegullën, që është bërë si shkak i një energjie të papastër dhe agjencia po punon”, shton ai.

Sa i përket zotimit se deri në janar të vitit 2026 do të hiqen masat, ambasadori francez thotë për KosovaPress se vendimi politik tashmë është marrë nga Këshilli Evropian dhe se tani i takon Komisionit Evropian ta zbatojë.

“Detajet nuk i di. Nuk mund t’jua tregoj. Vendimi politik është marrë nga Këshilli i Ministrave dhe nga Këshilli Evropian dhe tani Komisioni do ta zbatojë atë. Prandaj nuk mund të hyj në detaje”, thotë ai.

Masat ndaj Kosovës ishin vendosur në vitin 2023, si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur kryetarët shqiptarë, të dalë nga zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët lokalë, nisën detyrën e tyre në komunat në veri./