Ambasadori gjerman do të hapë Forumin e Dytë Ekonomik Gjermano-Kosovar, në Prishtinë
Drejtoresha ekzekutive e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, Nora Hasani, u takua me ambasadorin gjerman, Jörn Rohde, dhe zëvendësambasadorin, Matthias Conrad, për të diskutuar Forumin e Dytë Ekonomik Gjermano-Kosovar.
Ambasadori Rohde do të hapë zyrtarisht këtë forum, i cili do të mbledhë në Prishtinë liderë të biznesit dhe politikanë nga Gjermania dhe Kosova për të diskutuar të ardhmen e marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve.
Forumi, i organizuar nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare dhe Komiteti Lindor i Ekonomisë Gjermane, do të mbahet, më 2 dhe 3 tetor në Prishtinë.
Në fillim të tetorit, Prishtina pritet të bëhet qendra e bashkëpunimit gjermano-kosovar, pasi ky forum do të zhvillohet menjëherë pas ngjarjes rajonale SUBEX – Supplier Expo, që mbahet më 1 tetor në Prishtinë dhe bashkëorganizohet nga tri oda gjermane: Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, Oda Ekonomike Gjermane e Maqedonisë së Veriut dhe Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri.
Forumi Ekonomik Gjermano-Kosovar do të mirëpresë mbi 300 pjesëmarrës dhe ekspertë të industrisë nga Gjermania dhe Kosova. Ngjarja do të ofrojë një program tërheqës me diskutime në panele, intervista me ekspertë, podcast-e, masterclass-e, vizita në kompani dhe shumë më tepër.
Gjermania mbetet investitori më i madh i huaj në Kosovë (me 190 milionë euro investime të huaja direkte në 2023), donatori më i madh bilateral që nga paslufta, partneri kyç tregtar dhe shteti me diasporën më të madhe kosovare.
Forumi i parë Ekonomik Gjermano-Kosovar, i cili u mbajt në vitin 2022 rezultoi me investimin 20 milionë euro në sektorin e automotivës.