Ambasadori gjerman: Kosova ka nevojë urgjente për një qeveri funksionale
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka vlerësuar lart mikpritjen që ka marrë në Kosovë dhe lidhjet e forta mes dy vendeve, duke theksuar se Kosova mbetet një histori suksesi evropiane, por që ka nevojë për veprime konkrete politike dhe institucionale.
Në një shkrim autorial, Rudolph ka bërë të ditur se pas më pak se tre muajsh në Prishtinë, është bindur se lidhjet mes Gjermanisë dhe Kosovës janë të thella dhe të ndërtuara ndër vite, të mbështetura edhe nga qindra mijëra qytetarë që jetojnë mes dy vendeve.
Ambasadori gjerman ka theksuar se fokusi i misionit të tij diplomatik në Kosovë do të jetë në tri fusha kryesore: integrimi evropian, zhvillimi ekonomik dhe bashkëpunimi rajonal në Ballkanin Perëndimor.
Sa i përket integrimit evropian, Rudolph ka thënë se Kosova ka pritur shumë gjatë për njohje dhe integrim të plotë ndërkombëtar, duke shtuar se ekziston një konsensus i gjerë shoqëror për vlerat evropiane, por që ky konsensus duhet të shndërrohet në veprim politik. Ai ka nënvizuar se Kosova ka nevojë urgjente për një qeveri me mandat të plotë, e cila mund të përfaqësojë vendin ndërkombëtarisht dhe të marrë vendime brenda vendit.
“Viti i kaluar ka dëmtuar reputacionin ndërkombëtar të Kosovës dhe vendi nuk mund të përballojë humbjen e edhe një viti tjetër”, ka shkruar ai, duke shprehur shpresën që pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit të formohet shpejt një qeveri në fillim të vitit 2026.
Ambasadori ka kërkuar po ashtu angazhim të fortë ndaj dialogut të normalizimit të udhëhequr nga BE-ja, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së të gjitha komuniteteve në një Kosovë multietnike.
Në aspektin ekonomik, Rudolph ka theksuar se marrëdhëniet ekonomike Kosovë–Gjermani janë të forta, por të pabalancuara, pasi importet nga Gjermania janë shumë më të mëdha sesa eksportet e Kosovës. Ai ka inkurajuar rritjen e prodhimit dhe investimeve në Kosovë, duke nënvizuar rolin e diasporës kosovare në Gjermani si një urë kyç lidhëse mes dy vendeve.
Ai ka rikujtuar se Gjermania është donatori më i madh bilateral për Kosovën dhe se ndihma gjermane është e fokusuar në zhvillim të qëndrueshëm, energji të ripërtëritshme, arsim profesional dhe qeverisje të mirë.
Në fund, ambasadori ka folur për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, duke theksuar se përparimi i vendeve fqinje në procesin e integrimit evropian nuk duhet të shihet si garë, por si nxitje për bashkëpunim. Ai ka përmendur se Mali i Zi do të kryesojë Procesin e Berlinit në vitin 2026, duke shprehur shpresën për përparim konkret për rajonin.
Duke folur edhe për përvojat e tij personale në Kosovë, Rudolph ka përmendur vizitat në Prishtinë, Mitrovicë, Gjakovë, Deçan dhe Krushë të Madhe, ndërsa ka theksuar se mezi pret të marrë pjesë në festimet e 18-vjetorit të pavarësisë së Kosovës në vitin 2026.
“Në moshën 18-vjeçare, Kosova është një histori e jashtëzakonshme suksesi evropian – që duhet ndërtuar më tej”, ka përfunduar ambasadori gjerman.
Shkrimi i plotë autorial në gjuhën shqipe i ambasadorit gjerman:
„Ah, ju ziliqej!“ – Kështu reagoi ish-shefi im në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ambasadori Wolfgang Ischinger, kur i thashë se do të merrja postin e ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë. Wolfgang ka lidhje të thellë personale me këtë vend, por kjo është një histori për një tjetër ditë. Pas jo më shumë se tre muajsh në Prishtinë, mund të them se ai kishte të drejtë: Asnjëherë nuk kam marrë një mikpritje kaq të ngrohtë si diplomat gjerman. Qoftë në takime zyrtare në Prishtinë, qoftë kur ndalem për një makiato në një kafene të vogël jashtë qytetit. Lidhjet mes dy vendeve tona janë ndërtuar gjatë shumë vitesh, shpesh të vështira, dhe sot mbështeten drejtpërdrejt nga qindra mijëra njerëz që ndihen të lidhur dhe të rrënjosur si në Gjermani, ashtu edhe në Kosovë. Dhe është e mrekullueshme ta përjetosh këtë vetë çdo ditë.
Por, natyrisht, unë dhe ekipi im nuk jemi dërguar këtu vetëm për të shijuar kafenë e shkëlqyer. Jemi këtu për të punuar dhe do të përqendrohemi në tri fusha.
Së pari, rruga e Kosovës drejt integrimit evropian. Vendi ka pritur shumë gjatë për njohje dhe integrim të plotë ndërkombëtar. Unë ndjej kudo një lidhje të thellë me vlerat dhe qëllimet evropiane në këtë demokraci që po lulëzon. Por ky konsensus i gjerë duhet të shndërrohet në veprim – përmes aktorëve politikë këtu në Kosovë. E di se disa nga pengesat që qëndrojnë në rrugën e përparimit janë jashtë kontrollit të Kosovës. Dhe padyshim, në shumë kryeqytete evropiane është rritur ndërgjegjësimi për nevojën gjeopolitike. Por Kosova nuk mund të mbështetet vetëm në këtë: Procesi ka qenë dhe mbetet i bazuar në meritë. Prandaj është akoma më e rëndësishme që Kosova të përqendrohet në ato hapa që mund t’i ndërmarrë vetë. Njoftimi i fundit se Komisioni Evropian po e çon përpara heqjen e masave ndaj Kosovës pas transferimit paqësor të administratës lokale në veri pas zgjedhjeve të fundit lokale është një lajm i shkëlqyer.
Duke rrezikuar të tingëlloj si rekord i prishur: Kosova ka nevojë urgjente për një qeveri me mandat të plotë, e cila mund të flasë për vendin ndërkombëtarisht dhe të marrë dhe zbatojë vendime brenda vendit. Po i shkruaj këto rreshta para zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ndaj shpresoj që një qeveri të formohet shpejt në fillim të vitit 2026. Një gjë është se bllokada e këtij viti i ka kushtuar vendit para që mund të ishin alokuar nga fondet ndërkombëtare. Ajo që është më keq dhe nuk jam i sigurt që të gjithë e vlerësojnë plotësisht: Viti i kaluar me të vërtetë ka rënduar reputacionin ndërkombëtar të Kosovës. Vendi nuk mund të përballojë të humbasë edhe një vit tjetër.
Nga qeveria e re, nevojitet një angazhim i fortë për dialogun e normalizimit të udhëhequr nga BE-ja. Zgjedhjet lokale të qeta dhe dorëzimi i administratave komunale tek kryetarët e rinj të zgjedhur në veri ishin padyshim një shenjë inkurajuese në këtë drejtim. Në fund, të gjitha komunitetet në vend duhet të ndihen në shtëpinë e tyre në një Kosovë multietnike.
Fusha e dytë e punës është përparimi ekonomik i Kosovës. Marrëdhëniet ekonomike mes Gjermanisë dhe Kosovës janë të forta, por kanë potencial të madh për t’u rritur më tej. Për të dhënë vetëm një shembull, tregtia jonë nuk është aspak e balancuar: Importet nga Gjermania tejkalojnë shumë eksportet e Kosovës për në vendin tim. Do të doja të shihja më shumë prodhim të mallrave dhe shërbimeve inovative në Kosovë për të konkurruar në tregun gjerman. Ne jemi të gatshëm të bëjmë pjesën tonë për të promovuar investimet, për të forcuar kornizën ligjore bilaterale dhe për të nxitur tregtinë. Në të njëjtën kohë, Kosova duhet të krijojë një mjedis që tërheq investime afatgjata, përfshirë infrastrukturë të nivelit të lartë, siguri ligjore dhe mikpritje për personelin e kualifikuar dhe familjet e tyre.
Kam takuar anëtarë të diasporës së madhe kosovare në Gjermani. Shpesh janë të rinj, të lindur dhe rritur në Gjermani, qytetarë gjermanë dhe megjithatë thellësisht të lidhur me vendin e origjinës së prindërve dhe gjyshërve të tyre. Dhe mos harrojmë: me njohuri të gjuhës shqipe. Aty ku mundem, do të inkurajoj shkëmbime edhe më të forta – jo vetëm gjatë pushimeve verore: për të studiuar për një ose dy vjet, për të punuar, për të investuar. Ata janë lidhja më e vlefshme që kemi mes vendeve tona.
Një pjesë e pamjes ekonomike është edhe ndihma jonë zyrtare. Si donatori më i madh bilateral, ne mbështesim rrugën evropiane të Kosovës: E tëra bashkëpunimi ynë është i orientuar drejt zhvillimit të qëndrueshëm të Kosovës dhe përputhjes me kornizën ligjore dhe objektivat politike të BE-së. Qoftë investimi dhe zhvillimi i kapaciteteve në energjitë e ripërtëritshme, në arsim profesional ose në qeverisje të mirë: Ne punojmë për rezultate konkrete që përfitojnë të gjithë qytetarët e Kosovës nga të gjitha komunitetet dhe që nxisin një mjedis të shëndetshëm biznesi dhe natyror.
Fusha e tretë që dua të përmend është bashkëpunimi rajonal në Ballkanin Perëndimor. Javët e fundit kam hasur ndjenja nga habi deri në zhgënjim që dy fqinjët më të afërt të Kosovës – Shqipëria dhe Mali i Zi – konsiderohen tani ndër vendet udhëheqëse në procesin e aderimit në BE. Dua të jem i qartë: Asnjë vend nuk do të marrë pikë shtesë sepse fqinjët e tij po përparojnë më shpejt. Koha e humbur do të jetë e vështirë për t’u rikuperuar. Por integrimi evropian në thelb nënkupton edhe bashkëpunim të ngushtë me vendet fqinje – kështu filloi edhe për Gjermaninë shumë dekada më parë. Në vitin 2026, Mali i Zi do të kryesojë Procesin e Berlinit dhe shpresoj që vitin e ardhshëm të arrihet përparim i dukshëm për rajonin.
Në fjalimin tim të parë në Prishtinë, thashë se përtej detyrave politike, mezi po prisja të eksploroja vendin. Gjatë javëve të para këtu, kam filluar vetëm: duke vrapuar të dielën në Parkun e bukur të Gërmisë, duke ecur në qendër të Mitrovicës, duke marrë pjesë në shërbesën në katedralen e Gjakovës, duke vizituar manastirin mahnitës të Deçanit ose duke nderuar viktimat e masakrës në Krushë të Madhe. Dhe mezi pres ecje malore në pranverë dhe verë.
Në vitin 2026, Kosova do të shënojë 18 vjetorin e pavarësisë dhe mezi pres të marr pjesë në festime. Në moshën 18-vjeçare, Kosova është një histori e jashtëzakonshme suksesi evropian – që duhet ndërtuar më tej!

