Ambasadori gjerman për situatën në veri: Ligjet e Kosovës vlejnë në krejt territorin e saj
Ambasadori gjerman në Kosovë, Rainer Rudolph, në një intervistë dhënë për Kosovapress bashkë me kolegun e tij britanik, Jonathan Hargreaves, kanë folur për situatën në veri të vendit.
Rudolph, u shpreh se ishte mirë të shihje se tranzicioni i pushtetit në katër komunat veriore u zhvillua në mënyrë të qetë dhe profesionale, teksa shtoi se askush s’e vë në dyshim që ligjet e Kosovës vlejnë në të gjithë territorin e saj.“Vizitën time të parë në veri e bëra në fillim të këtij viti, pikërisht kur kryetarët e rinj të komunave kishin marrë detyrën. Ishte mirë të shihje se tranzicioni i pushtetit në të katër komunat veriore u zhvillua në mënyrë të qetë dhe profesionale. Nga ana tjetër, askush nuk e vë në dyshim që ligjet e Kosovës vlejnë në të gjithë territorin e Kosovës. Kjo është e padiskutueshme. Ajo që është e rëndësishme për ne është që zbatimi i tyre, duke pasur parasysh historinë e ndjeshme të zonës, të mos ndikojë negativisht në jetën e përditshme të qytetarëve. Për këtë arsye u angazhuam në fillim të vitit lidhur me zbatimin e Ligjit për të Huajt dhe u gëzuam kur u arrit marrëveshja mes Kryeministrit dhe Përfaqësuesit Special të BE-së, Peter Sørensen. Kjo ishte fryma në të cilën ne e mbështetëm atë proces”, tha Rudolph për KosovaPress.
E, Hargreaves tha se këndvështrimi i Londrës për këtë është shumë i ngjashëm, duke thënë se është shumë e rëndësishme që qeveria t’i zbatojë angazhimet që ka marrë më 14 mars, përkatësisht për Ligjin për të Haujt.
Tutje, Hargreaves u shpreh se është në interesin e të gjithëve në Kosovë që komunitetet joshumicë të duan që të jenë pjesë e të ardhmes së këtij vendi.“Siç tha Rainer, kjo është një mundësi e rëndësishme që sundimi i ligjit të zbatohet në të gjithë vendin, por në një mënyrë që të mos dëmtojë në mënyrë disproporcionale ata qytetarë që për arsye të ndryshme e kanë pasur të vështirë të përshtaten me kushtet e reja. Është shumë e rëndësishme që qeveria t’i zbatojë angazhimet që mori më 14 mars. Në mënyrë më të gjerë, mendoj se është në interesin e të gjithëve në Kosovë që komunitetet joshumicë të ndihen të sigurta, të mirëpritura dhe të dëshirojnë të jenë pjesë e së ardhmes së këtij vendi të mrekullueshëm”, tha Hargreaves.
I pyetur se a “a mendoni vërtet se serbët në veri e duan këtë?”, pra që të jenë pjesë e të ardhmes së Kosovës, Hargreaves tha se “po, e mendoj”. Ai tutje u shpreh se serbët e Kosovës duan arsim cilësor, qasje të mirë në shëndetësi, mundësi punësimi dhe zhvillim ekonomik.
“Po, e mendoj. Po. Mendoj se, si shumica e njerëzve, ata duan arsim cilësor, qasje të mirë në shëndetësi, mundësi punësimi dhe zhvillimi ekonomik, si dhe një mjedis të sigurt për familjet e tyre. Ata jetojnë në Kosovë dhe këto janë gjërat që kërkojnë më së shumti. Dhe mendoj se është në interes të Kosovës që ata të ndihen të sigurt se mund ta ndërtojnë jetën e tyre këtu”, tha Hargreaves.

