Ambasadori gjerman takim me kreun e SPAK: Forcimi i sundimit të ligjit, thelbësore për integrimin e Shqipërisë në BE
Ambasada Gjermane në Tiranë ka bërë të ditur nëpërmjet një njoftimi në Facebook se kreu i ri i SPAK, Klodian Braho, ka zhvilluar një takim me ambasadorin Karl Bergner.
Në njoftim shkruhet se Gjermania e mbështet fuqishëm politikisht dhe financiarisht Shqipërinë për t’u bërë pjesë e BE-së dhe se për këtë proces është shumë e rëndësishme sipas tij, forcimi i sundimit të ligjit.
“Ambasadori Bergner shkëmbeu mendime sot me kreun e SPAK, Braho, për forcimin e sundimit të ligjit.
Ky është një kusht thelbësor për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, të cilin Gjermania e mbështet fuqishëm politikisht dhe financiarisht. Gjermania do të vazhdojë të angazhohet intensivisht për të ruajtur progresin e arritur në vitet e fundit dhe për të mundësuar luftën efektive kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, thuhet në njoftimin zyrtar të Ambasadës.

