Ambasadori Greiçevci ia dorëzon medaljen presidenciale “Urdhëri i Lirisë” gjeneralit holandez, ia kishte ndarë ish-presidenti Thaçi

Ambasadori i Kosovës në Holandë, Lirim Greiçevci ia ka dorëzuar medaljen presidenciale “Urdhëri i Lirisë”, gjeneralit Ton van Loon, komandant i parë i trupave holandeze të KFOR-it në Kosovë.
“Medalja presidenciale, “Urdhëri i Lirisë”, për Gjeneralin Ton van Loon, ishte ndarë nga Presidenti Hashim Thaçi dhe ajo u dedikohet personaliteve të cilët kanë dhënë kontribut të veçantë për lirinë e Kosovës. Dorëzimi i medaljes u bë në prani të Shefit të Shtabit të Mbrojtjes të Forcave të Armatosura të Holandës, Admiralit Rob Bauer, komandantit të Forcave Tokësore, Gjeneralit Martin Ëijnen, veteranëve të KFOR-it dhe mysafirëve të tjerë. Në ceremoni mori pjesë edhe Atasheu i Mbrojtjes i Kosovës në Holandë, Koloneli Ahmet Ajeti”, ka shkruar mes tjerash Greiçevci në llogarinë e tij në Facebook, transmeton IndeksOnline.

Shkrimi i tij i plotë:
Ishte nder i madh që, në një ceremoni të veçantë në ambientet e Akademisë Ushtarake të Artilerisë në Holandë, t’ia dorëzoj medaljen presidenciale “Urdhëri i Lirisë”, Gjeneralit Ton van Loon, komandant i parë i trupave holandeze të KFOR-it në Kosovë. Medalja presidenciale, “Urdhëri i Lirisë”, për Gjeneralin van Loon, ishte ndarë nga Presidenti Hashim Thaçi dhe ajo u dedikohet personaliteve të cilët kanë dhënë kontribut të veçantë për lirinë e Kosovës.

Dorëzimi i medaljes u bë në prani të Shefit të Shtabit të Mbrojtjes të Forcave të Armatosura të Holandës, Admiralit Rob Bauer, komandantit të Forcave Tokësore, Gjeneralit Martin Ëijnen, veteranëve të KFOR-it dhe mysafirëve të tjerë. Në ceremoni mori pjesë edhe Atasheu i Mbrojtjes i Kosovës në Holandë, Koloneli Ahmet Ajeti.

Më 12 qershor 1999, Gjenerali van Loon dhe ushtarët holandezë, nën komandën e tij, kishin marrë nën kontroll Rahovecin. Ata ishin bërë dëshmitarë të krimeve makabre serbe, shkatërrimit masiv dhe vuajtjes së civilëve shqiptarë, duke qenë të mirëpritur si çlirimitarë nga popullata lokale. Sipas fjalëve të Gjeneralit van Loon, “disa ditë pasi hymë në Rahovec, një komandant i UÇK-së më dërgoi tek një shtëpi plotë civilë të vrarë nga serbët. Më pas, serbët ia kishin vënë flakën shtëpisë. Gjatë gjashtë muajve të parë të misionit tonë, ne ndihmuan për varrosjen e rreth 2 mijë civilëve të vrarë, duke përfshirë edhe fëmijë”.
Gjenerali van Loon dhe ushtarët e tij ishin të parët që mundësuan që popullata lokale në Rahovec të ndihej e lirë dhe të fillonte ta merrte veten nga traumat e luftës, duke u kujdesur edhe për shërbimet e para publike. Ai dhe ushtarët e tij ishin gjendur edhe në një situatë tjetër delikate, duke u vënë midis ushtarëve rusë dhe popullatës lokale, e cila nuk i donte rusët në mesin e tyre.

Mes tjerash, Gjenerali van Loon kishte urdhëruar edhe vendosjen e automjeteve të blinduara ushtarake në verarinë e Rahovecit, pas marrjes së informacionit se forcat serbe do ta hedhnin në ajër atë para tërheqjes nga Rahoveci. Ai edhe ushtarët e tij kishin ndihmuar edhe hetuesit e Tribunalit Ndërkombëtar Penal për ish Jugosllavinë për të mbledhur dëshmi për krimet serbe në Rahovec.
Gjatë fjalimit tim, gjatë ceremonisë, theksova se Gjenerali van Loon dhe ushtarët e tij të KFOR-it holandez, e kanë merituar nderimin dhe respektin e popullit të Rahovecit dhe të tërë Kosovës. Ne asnjëherë nuk do ta harrojmë kontributin e institucioneve dhe popullit holandez në një nga periudhat më të vështira të ekzistencës sonë.

