75 Mall Live Search
10:11 / E Hënë, 08 Shtator 2025 / S Z

Ambasadori i Finlandës: Kosova është në rrugën e duhur drejt BE-së

Ambasadori i Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen, ka dhënë një mesazh optimist për të ardhmen e vendit, duke theksuar se Kosova ka perspektivë të qartë drejt organizatave evropiane dhe euroatlantike.

Me përfundimin e mandatit diplomatik trevjeçar në Kosovë, Nissinen, ka ndarë reflektimet e tij mbi përvojën personale dhe profesionale në Kosovë.

Në një intervistë për The Geopost, ai u shpreh i bindur se Kosova është në rrugën e duhur, duke theksuar se përparimi i vendit varet nga reformat shoqërore dhe investimi në qytetarë.

““Unë besoj se Kosova është në rrugën e duhur drejt organizatave evropiane dhe euroatlantike. Mesazhi im është i thjeshtë – investoni në njerëz, në arsim, shëndetësi dhe krijim të vendeve të punës. Ky model ka funksionuar në Finlandë dhe jam i bindur se do të funksionojë edhe në Kosovë”, tha ai.

Nissinen foli edhe për përpjekjet e përbashkëta në luftën kundër dezinformimit, duke përmendur projektet për edukimin mediatik dhe forcimin e mendimit kritik tek të rinjtë. Ai vuri në dukje se kjo fushë kërkon bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve, shoqërisë civile, mediave dhe biznesit.

Duke përmbyllur intervistën, ambasadori u shpreh i impresionuar nga energjia e qytetarëve të Kosovës dhe tha se e sheh vendin të përgatitur për një të ardhme evropiane.