22:12 / E Enjte, 28 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Ambasadori i Kosovës në Shqipëri thotë se ndihmat e kosovarve nuk po vidhen, ato janë nën vëzhgim

Tragjedia e fundit në Shqipëri, tragjedi e kjo e cila mbuloi tërë shtetin shqiptar pas një tërmeti i cili doli të jetë fatal për 47 persona, të cilët humbën jetën si pasojë e kësaj fatkeqësie, la shumë për të thënë për bujarinë e shqiptarëve të Kosovës, të cilët që nga dita e parë e tragjedisë, e deri më tani, janë mobilizuar për ti dalë në ndihmë të prekurve nga tërmeti fatal në Shqipëri, shkruan IndeksOnline.

Ndihmat e shumta, si veshëmbathje, ushqime, produkte higjienike, ishin disa nga ato të cilat sado pak mbuluan nevojat e shqipëtarëve në Shqipëri, të cilët për dy ditë rresht, nën ankth të madh, kaluan natën nën qiell të hapur.

Sot Qeveria e Shqipërisë, gjegjësisht, kryeministri shqiptar, Edi Rama, iu drejtua të gjithë atyre që dërguan ndihma për të prekurit nga tërmeti, që ti ndalin furnizimet me produkte ushqimore si dhe veshmbathje, pasi që sipas tij, janë përmbushur të gjitha nevojat e qytetarëve për këto produkte.

Ndonëse Rama pohon se ushqime e veshmbathje ka me tepricë, në mbrëmje u raportua se këto ndihma po keqpërdoren, madje dikush denoncoi një oficer të policisë, i cili ndihmat që po vinin nga Kosova, ai po i dërgonte në banesën e tij.

Raste të tilla u raportuan plotë, madje kishte aludime se këto ndihma edhe po shiteshin, nga persona deri më tash të panjohur.

Por këto aludime i hudhë poshtë ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani.

Ai për Indeks Online thotë se të gjitha produktet dhe veshëmbathjet janë të paketuara dhe monitorohen nga persona të cilët janë kompetentë për ruajtjen e tyre, madje ai thotë se nuk ka vend për panik.

“Kjo nuk qëndron, jo nuk ka vend për panik, ne kemi qenë në të gjitha magazinat, janë duke punu punëtorët që po i ripaketojnë të gjitha ato që i kanë sjellë nga pjesa jonë ato i mbledhin dhe i bëjnë paketim për secilën familje”, tha Hasani.

“Arsyeja është që qeveria shqiptare ka marrë një vendim publik që të paktën të pezullohen përkohësisht ndihmat për shkak që janë tej mbushur magazina dhe nuk po ka mundësi të shfrytëzohen kto ndihma. Ndihmat me ushqime duhet me qenë më të reduktume pasi kanë qenë nga të gjitha anët e fshatrat  dhe kështu që janë tej mbushë deri më tani, kjo ka qenë arsyeja e Qeverisë dhe ne e kemi përcjellë mesazhin e qeverisë”.

Mobilizimi nga Kosova për shqiptarët, Hasani tha se u vlerësua jashëzakonisht pozitivisht.

Ai tutje shton se kërkimet në Thumanë e Durrës, janë vështirësuar pas reshjeve të shiut të cilët kanë filluar gjatë kësaj mbrëmje.

“Është një vlerësim i jashtëzakonshëm pozitiv për shqipëtarët e Kosovës, për Kosovën dhe qytetet e Kosovës, për shkak që ata kanë hap çdo mundësi për ti furnizu, për ti ndejtë gati, për tu dalë ndihmë, me mjete ushqimore, me veshmbathje, me forca të armatosura , me polici e shëndetësi”.

“Deri më tash thuajse janë nxerrë trupat e pajetë, kanë dy tri pika që janë duke u gërmu për të pagjeturit  nën gërmadha, reshjet e vështirësojnë situatën, por megjithatë ekipet e specializuara janë të përgatitura edhe në këto situata”. /IndeksOnline/