10:43 / E Mërkurë, 14 Gusht 2019 / indeksADMonline

Ambasadori i SHBA-së, në Beograd: Kosova dhe Serbia ta rinisin dialogun sa më shpejt

Ambasadori i SHBA-së, në Beograd, Scott thotë se është koha që t’u jepet fund konflikteve të viteve 90-të.

Përmes twitter-it, Kyle Scott u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të rinisin dialogun  me ndërmjetësimin e BE-së sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Ka ardhur koha për t’u dhënë fund konflikteve të viteve ’90-të.  I bëj thirrje Kosovës dhe Serbisë që të rihapin sa më shpejt dialogun e sponsoruar nga BE-ja dhe të përmbahen nga ndërmarrja e hapave që e bëjnë të pamundur arritjen e një marrëveshje”, ka shkruar Scott.

Të martën vendet e QUINT-it përmes një deklarate të përbashkët u kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë t’i rikthehen dialogut.

Ambasadat kryesore kanë kërkuar edhe heqjen e taksës nga Kosova, si dhe ndalimin e propagandës së Serbisë ndaj Kosovës në arenën ndërkombëtare.