Ambasadori Jeff Hovenier këndon himnin amerikan për nder të Ditës së Pavarësisë së ShBA-së

Në oborrin e Ambasades Amerikane në Kosovë është duke u mbajtur manifestim me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.
Në mesin e shumë figurave publike, është edhe presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, raporton Indeksonline.
E, para musafirëve, për ta bërë këtë ceremoni edhe më të ndjerë, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier, ka kënduar himnin kombëtar amerikan.
Ai u ngjit në podiumin e skenës së përgaditur, i shoqëruar nga tre artistë, për të kënduar vargjet e himnit “The Star-Spangled Banner”.

Të gjithë të pranishmit u ngritën në këmbë për të nderuar himnin, teksa parakaluan edhe trupat marinse amerikane, me flamurin e ShBA-së dhe atë të Trupave të Marinses.
Pas himnit amerikan, në piano u luajt edhe himni i Republikës së Kosovës.

“I lumtur të pres partnerët dhe miqtë kosovarë këtë mbrëmje, ndërsa shënojmë përvjetorin e 246-të të Ditës së Pavarësisë. Faleminderit që festuat me ne” shkroi pastaj Hovenier në Twitter.
Të hënën, më 4 korrik, ShBA shënon 246 vjetorin e pavarësisë./Indeksonline/