75 Mall Live Search
09:44 / E Mërkurë, 28 Tetor 2020 / OSH

Kosnett-i dhe Minxhozi diskutojnë për situatën politike dhe menaxhimin e pandemisë, në Kosovë

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Philip Kosnett kanë biseduar për menaxhimin e situatës pandemike, në Kosovë.

Përmes një statusi në rrjetin social në Facebook nga faqja e Ambasadës së Shqipërisë në Kosovë, bëhet e ditur se gjatë takimit është diskutuar po ashtu edhe rreth situatës politike në vend.

“Ambasadori Minxhozi priti në një takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, SH.T.Z. Philip J. Kosnett. Gjatë takimit, ata diskutuan rreth situatës politike në vend, si edhe lidhur me menaxhimin e situatës pandemike nga autoritetet kosovare”, kanë njoftuar nga ambasada.

Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka bërë të ditur se numri total i rasteve pozitive është 18.345 nga 89.108 persona të dyshimtë me virusin SARS-CoV-2 dhe 669 raste të vdekjes.

IKSHPK-ja ka njoftuar, po ashtu se numri i përgjithshëm i të shëruarve deri sot është gjithsej 15.198 raste, kurse numri i rasteve aktive është 2.478.