20:32 / E Martë, 15 Mars 2022 / SH F

Ambasadori rus në OKB tregon se nën çfarë kushtesh do t’i ndalte Moska sulmet në Ukrainë

Një ditë pasi Franca dhe Meksika thanë se do të kërkonin miratimin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për një rezolutë humanitare për Ukrainën, ambasadori rus zbuloi se Moska po dorëzonte rezolutën e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Rusia kishte kundërshtuar projekt-rezolutën fillestare në Këshillin e Sigurimit, ku ka të drejtën e vetos, raporton CNN

Ambasadori rus në OKB Vassily Nebenzia tha se “ka ende shanse” që Rusia të pajtohet me një rezolutë humanitare, duke shtuar se kushtet e tyre do të “kërkojnë armëpushim të negociuar, evakuimin e civilëve, respektimin e ligjit ndërkombëtar humanitar dhe të të drejtave të njeriut, dënimi i sulmeve kundër civilëve dhe objekteve civile, kalimin e sigurt dhe të papenguar dhe ndihmën humanitare të papenguar.”

Kur u bë presion mbi detajet e kushteve të zgjidhjes, Nebenzia tha se Rusia do të bënte gjithashtu thirrje për çmilitarizimin e Ukrainës, që të mos ketë asnjë kërcënim të ardhshëm nga ai vend ndaj Rusisë dhe se Ukraina nuk duhet të anëtarësohet në NATO.

Nebenzia tha gjithashtu se presidenti rus Vladimir Putin do të ndalojë sulmin ndaj Ukrainës “kur të arrihen qëllimet e operacioneve speciale ushtarake”.

Ambasadorja e Irlandës në OKB Geraldine Byrne Nason tha se ajo nuk ka parë ende ndonjë propozim nga Rusia, por mbetet e fokusuar në çështjen kryesore në fjalë: ofrimin e ndihmës humanitare për ukrainasit.