75 Mall Live Search
20:28 / E Hënë, 18 Shkurt 2019 / indeksADMonline

Ambasadori Ukshini: Kosova ka dhënë jashtëzakonisht shumë, nuk ka çka jep më

Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini ka qenë i ftuar për një intervistë në televizionin “Vizion Plus”.

Në këtë intervistë, ai foli për rrugëtimin e Kosovës për t’u bërë shtet dhe pasi u bë shtet. Po ashtu foli për realitetin momental dhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Fillimisht ai foli rëndësinë e shpalljes shtet të Kosovës dhe se çfarë rëndësie kishte kjo për qytetarët në kohën e luftës së vitit 1999.

“Është një rrugë që ka filluar në vitin 1912 dhe është finalizuar në vitin 2008, dmth është një rrugë me plot sakrifica”

“Pavarësia e Kosovës është e vlefshme është e ëmbël sepse është bërë me shumë mund, është bërë me shumë sakrifica, është bërë me shumë përpjekje”

“Nëse shikojmë 20 vite më parë është përtej çdo imagjinate domethënë të mendoje se ata njerëz që vinin kolona rrugëve të uritur, të përdhunuar, të plagosur që kishin humbur çdo gjë dhe të thuhej që në vitin 2019 ju do të festoni 11 vjetorin e shtetësisë së Kosovës dhe do të jeni pjesë e të gjitha proceseve rajonale evropiane dhe ndërkombëtare, kjo ka qenë e paimagjinueshme”  u shprehë ambasadori kosovar.

Tutje ai foli për temat aktuale, gjendjen e tanishme të Kosovës, përparimet dhe synimet që i ka në të ardhmen Kosova.

“Unë mendoj që kjo dekadë do të jetë e rëndësishme për konsolidimin e shtetit të Kosovës në planin ndërkombëtar. Në planin e brendshëm me tri ligjet që u bën vitin e kaluar, Kosova rrumbullaksoi gjithë infrastrukturën e saj si shtet”

“Vendimi për të formuar ushtrinë e Kosovës ka qenë shtylla e fundit mbi të cilën është ngritur shteti i Kosovës”

“Edhe në muzikë, edhe në sport, edhe në planin ndërkombëtar akoma nuk e kemi mbërrir zenitin domethënë ne kemi etje për t’u afirmuar”

“Kosova qëndron shumë më mirë në kuptimin e infrastrukturës se sa vendet në rajon”  tha Ukshini.

Ambasadori po ashtu dha mendimin e tij rreth dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ku theksoi se duhet një marrëveshje gjithëpërfshirëse. “Të arrijmë një marrëveshje në gjithëpërfshirëse me Serbinë, një marrëveshje e obligueshme ndërkombëtarisht, e garantuar nga SHBA dhe BE, e cila Kosovës i garanton ulëse në OKB”

“Kosova ka bërë lëshime të jashtëzakonshme, bile thotë njëri nga autorët e kësaj marrëveshje, zëvendësi i Ahtisarit, Albert Rohan, ai thotë që Kosova me Pakon e Ahtisarit ka bërë lëshime deri në linjën e kuqe të funksionalitetit të saj më tej nuk shkohet. Kosova nuk ka çka jep, Kosova ka dhënë jashtëzakonisht shumë. Të drejtat që i kanë serbët, nuk i ka asnjë pakicë në rajon” u shprehë ai.

Ukshini po ashtu komentoi deklaratat e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama i cili kishte thënë se Kosova dhe Shqipëria do të bashkohen me rregullat e shekullit 21.  

“Nëse e marrim në tërësi, unë jam shumë i bindur. Ne kemi një gjuhë, kemi një kulturë, kemi një histori, askush nga fqinjët nuk ka pse të frikohet pse ne jemi shqiptarë. Kemi ëndrra të përbashkëta. Ëndrra jonë e përbashkët është që të jemi pjesë e BE-së.”

“Një shembull na kanë dhënë boshnjakët, ‘Paramendojeni sikur Kroacia të ishte shtet ëmë i boshnjakëve, fati ynë do të ishte ndryshe’, paramendojeni Kosovën sikur të mos ishte Shqipëria shtet ëmë, si do të dukeshim. Nëse e merr në këtë prizëm, roli i Shqipërisë është i jashtëzakonshëm. Vetëm mendojeni 20 vite më parë, një milion njerëz kishin një shpresë që quhej Shqipëri” përfundoi ambasadori kosovar./Indeksonline/