Ambasadorja amerikane në Shqipëri ka një kërkesë për liderët shqiptarë

Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, u ka kërkuar Edi Ramës, Lulëzim Bashës e liderëve të tjerë që t’i rishikojnë edhe një herë listat e tyre partiake, në mënyrë që kur të kthehen në parlament, qytetarët të jenë krenarë me ta.
“Do të kërkojë që Edi Rama, Lulzim Basha, si dhe udhëheqës të tjerë të kontrollojnë listat edhe njëherë për t’u siguruar që kur të kthehen në parlament, njerëzit të mund të jenë krenarë për përfaqësuesit e tyre. Po ashtu, do të kërkojë që palët të ngrihen mbi interesat e tyre partiake dhe të gjejnë mënyrën për të arritur kompromis dhe për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin për një kauzë më të lartë, për të ardhmen e Shqipërisë”, ka thënë ambasadorja amerikane, shkruan TopChannel.
Ajo po ashtu ka thënë se zgjedhjet e 25 prillit ishin të mira dhe Shtetet e Bashkuara presin me kënaqësi që të punojnë me shumicën dhe opozitën në parlament për të trajtuar problemet e përsëritura në zgjedhje.
Kim bëri të ditur se më 1 janar 2022, Shqipëria do të marrë rolin më të rëndësishëm që ka pasur ndonjëherë në skenën botërore, duke u ulur përkrah Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar, Kinës, Rusisë dhe Francës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.