Ambientimi në Metalist 1925, sigurimi i play-offit me Kosovën – Baton Zabërgja: Ky grup lojtarësh e mertion pjesëmarrjen në Kupën e Botës
Baton Zabërgja, një prej futbollistëve më premtues të Kosovës, i rritur mes sakrificave dhe rrugëtimit të vështirë, sot përfaqëson me krenari fanellën e ‘Dardanëve’.
Në një intervistë ekskluzive për Indeksonline.net, ai rrëfen emocionet, sfidat dhe ëndrrat. Mes një historie që fillon nga ‘lloçi’ i Kosovës dhe arrin deri te skena ndërkombëtare.
Duke folur për emocionet e përfaqësimit të Kosovës, sidomos në ndeshjen ndaj Zvicrës, ai thekson se kjo ndjenjë është e pashpjegueshme:

“Padyshim është ëndërr e çdo futbollisti ta vesh fanellën e përfaqësueses. Është ndjenjë e papërshkruar të luash para shikuesve të tu, në shtëpi, kundër një kombëtareje si Zvicra. Çka mbetet të thuhet, përveç ta falënderoj Zotin për këtë mundësi!”
Zabërgja e konsideron sigurimin e play-offit si moment historik, por ai nuk ndalet këtu. Për të, suksesi i vërtetë do të vuloset me 31 mars, kur Kosova synon të shkruajë historinë duke e prerë biletën për Kupën e Botës 2026.
“Do jem edhe më i lumtur dhe krenar për jetë më 31 mars, pas 90 minutash, kur ky grup lojtarësh kaq meritor ta kurorëzojë këtë rrugëtim me festë. Do ta shkrimë atomim e fundit që ëndrra e botërorit të bëhet realitet.”
I pyetur për kundërshtarin Sllovakia dhe finale e mundshme, kundër Turqisë ose Rumanisë, Zabërgja nuk trembet: ai beson se Kosova tashmë ka dëshmuar se mund të përballet me çdo shtet.

“Ne do të jemi gati për këdo. Vetëm mos të kemi lëndime dhe të ruajmë formën. Tifozët dardanë duhet ta dinë se ëndrra vazhdon!”, u shpreh Zabi për Indeksonline.net
Duke kaluar te skuadra e tij, Metalist 1925, Zabërgja tregon për vështirësitë e rikthimit pas lëndimit dhe ambientimin në futbollin ukrainas.
“Sa i përket skuadrës së Metalist 1925, ambientimi ka qenë shumë i mirë dhe i shpejt, siç e dini skuadrës së re iu bashkangjita pas xhiros së tretë sepse luajta tek Dinamo në Tiranë. Dhe pas dy ndeshjeve me pak minuta, pësova lëndim në shtator te grumbullimi i Kosovës – pak minuta para se të startoja kundër Suedisë, kështu që në tërësi i kam 3 ndeshje me 90 minuta gjithsej, por besoj se shumë shpejtë do të jem aty ku dëshiroj.”
Zabërgja vlerëson lartë bashkëvendasin e tij dhe futbollistin tjetër kosovar të Metalist 1925, Ermir Rashicën, me të cilin ka krijuar një lidhje të fortë profesionale dhe shoqërore.

“Jam me fat që gjeta Ermir Rashicën. Është lojtar i jashtëzakonshëm dhe bashkëvendas nga Vushtrria, jemi bashkë pothuajse 90% të kohës.”
Për mundësinë e transferimit të një futbollisti tjetër shqiptar te Metalist, ai tregon se kjo i takon menaxhmentit të klubit, por është i bindur se kushdo që vjen, do të gjejë ambient të shkëlqyer dhe do të integrohet shpejt falë grupit të fortë që tashmë ekziston.
Kujtojmë që Zabërgja lujti edhe në Superligën e Kosovës, me skuadrat si: Gjilanit, Vushtrria dhe Drenica./Indeksonline/Granit Tërstena/

