75 Mall Live Search
14:10 / E Enjte, 17 Shtator 2020 / indeksADMonline

Amerika vazhdon të punojë ngushtë me Kosovën dhe Serbinë për implementimin e ujdisë së Washingtonit

Këtë të enjte delegacionet të Kosovës dhe Serbisë, zhvillojnë takime në Bruksel në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Europian.

Këtë herë takimet zhvillohen në nivel ekspertësh, ndërsa pas dhjetë ditëve pritet të ketë edhe një takim në nivel të lartë me praninë e kyreministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, njofton Klan Kosova.

Këto takime zhvillohen pak javë pas arritjes së marrëveshjes për normalizimin ekonomik midis të dyja palëve.

Richard Grenelli çdo herë thirrej se ka synim arritjen e një marrëveshjeje ekonomike dhe tani ajo ekziston midis Prishtinës e Beogradit zyrtar.

Por se cili do të jetë roli i mëtejmë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në raport me dialogun në Bruksel pas këtij zhvillimi?

Klan Kosova merr vesh nga burime të larta zyrtare brenda Shtëpisë së Bardhë se do vazhdojnë angazhimin e tyre në këtë rrugëtim.

”Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë ngushtë me Beogradin dhe Prishtinën për të zbatuar marrëveshjet e arritura në Washington”, është shprehur ky burim për Klankosova.tv, në kushte anonimiteti.

Ndërkaq para nisjes së këtij raundi të dialogut ka pasur paqartësi rreth asaj se cila do të jetë tema kryesore në rend dite.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak tha se të enjten do të diskutohet për pretendimet financiare, ndërsa në ditët e ardhshme edhe për çështjet e lidhura me aranzhimet për komunitetin joshumicë.

Prapa termit ”aranzhimet për komunitetet joshumicë” qëndron çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

”Të dyja temat janë shumë komplekse. Kjo është arsyeja përse ne do t’i diskutojmë pretendimet financiare nesër dhe rregullimet për komunitetin joshumicë në ditët e ardhshme”, kishte shkruar dje Lajçak në Twitter.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar shefi i delegacionit të Serbisë në këto bisedime, Marko Gjuriq, duke pohuar se për Serbinë tema kryesore është zbatimi i marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

”Tema e parë në rendin e ditës nesër do të jetë Bashkësia e komunave me shumicë serbe. Së paku, për palën serbe”, ka shkruar Gjuriq duke reaguar ndaj paralajmërimeve të Lajçakut, po ashtu të mërkurën.

Po ashtu edhe sa i përket pretendimeve financiare dhe pronësore palët kanë qëndrime shumë të ndryshme.

Kosova këtu synon që të përfshihen edhe dëmet e luftës ndërsa Serbia kërkon të jenë temat që kanë të bëjnë me pronësinë private të serbëve të Kosovës dhe Kishës Ortodokse serbe.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë më 16 shtator se ‘‘hapja e temave për të drejtat e komuniteteve dhe për Asociacionin e komunave serbe në dialogun e Brukselit është gabim i madh dhe shumë i rrezikshëm i Qeverisë së Kosovës”.

Sipas tij, diskutimi për Asociacionin të enjten është “fillim i instalimit të Republikës Serbe brenda Republikës së Kosovës”.

Ai shton se diskutimi për pronat e Kosovës me Serbinë, është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si dhe është cenim i sovranitetit.

Në anën tjetër, Kryeministri Avdullah Hoti ka thënë të mërkurën se në Bruksel nuk do të diskutohet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Sipas tij, të enjten diskutohet për çështjen e obligimeve financiare mes dy vendeve, që kanë të bëjnë me çështjen e pensioneve të viteve të 90-ta, suksesioni i pasurisë së ish-Jugosllavisë, borxhi publik, dëmet e luftës, reparacionit etj.