08:18 / E Premte, 19 Shkurt 2021 / OSH

Amerikanët presin në radhë për t’i mbushur shishet me ujë

Miliona banorë të Teksasit në Shtetet e Bashkuara po përballen me mungesë të ujit të pijshëm pasi temperaturat e ulëta bënë që gypat e ujësjellësit të shpërthejnë.

Zyrtarët në Teksas urdhëruan shtatë milionë njerëz apo çerekun e popullsisë së shtetit të dytë më të madh të ShBA-së për numër të banorëve që ta vlojnë ujin e ujësjellësit para se ta pijnë, pasi ditët e ftohta i ngrinë gypat dhe e dëmtuan infrastrukturën e ujësjellësit.

Pengesat në furnizimin me ujë erdhën pasi miliona amerikanë u përballën edhe me ndërprerje masive të energjisë elektrike, shkruan The Guardian.

Nga ndërprerja e ujit janë prekur edhe spitalet në Austin dhe Houston. “Po punojmë më zinxhirin tonë furnizues që të ofrojmë ujë për pacientët, stafin dhe operatorët tanë”, tha David Huffstutler nga sektori i shëndetësisë në Austin.

Shtypja e ujit ka rënë në tërë shtetin, sepse gypat e rrjetit janë ngrirë dhe shumë banorë po i lënë çezmat të hapura me shpresë që ta parandalojnë ngrirjen e gypave, tha Toby Baker, drejtor ekzekutiv i Komisionit për Cilësinë e Mjedisit në Teksas.

Sistemi i furnizimit me ujë ka pasur probleme edhe në disa qytete tjera jugore, përfshirë Louisianan, Shreveportin dhe New Orleansin.

Një përdoruese e rrjeteve sociale ka publikuar fotografi të rafteve të një dyqani, ku shihet se nuk ka shishe me ujë, ndërsa kanë mbetur edhe pak prodhime të tjera ushqimore.