Amerikanit i anulohet transplanti i zemrës, nuk ishte i vaksinuar

Një spital amerikan ka refuzuar transplantin e zemrës tek një pacient, të paktën pjesërisht, sepse ai nuk është vaksinuar kundër COVID-19.
DJ Ferguson, 31 vjeç, ka nevojë për një zemër të re, por Brigham and Women’s Hospital në Boston e hoqi atë nga lista e tyre, shkruan BBC.
Sipas babait të Ferguson, vaksina kundër COVID bie ndesh me parimet bazë të djalit të tij, sepse ai nuk beson në të.
Brigham and Women’s Hospital i tha BBC-së në një deklaratë se duke pasur parasysh mungesën e organeve në dispozicion, spitali po bën gjithçka që është e mundur për të siguruar që një pacient që merr një organ të transplantuar të ketë shanse më të mëdha për të mbijetuar.
Një zëdhënës tha se spitali kërkon dëshminë për vaksinën anti-COVID dhe për të optimizuar mbijetesën e pacientit pas transplantimit, duke pasur parasysh se sistemi i tyre imunitar është i shtypur në mënyrë drastike.
Spitali shtoi se shumë nga 100 mijë personat në listat e pritjes për transplantim organesh, nuk do të marrin një organ brenda pesë viteve për shkak të mungesës së organeve në dispozicion.