Amir Mamusha kandidon për Asamblenë Komunale të Gjakovës

Amir Mamusha tashmë i është bashkuar listës së kryetarit Ardian Gjini, me numrin 13.
Mamusha është aktivist i hershëm politik dhe pjesë e shoqërisë civile, dikur udhëheqës i rinisë së AAK-së.
“Një ekip nën drejtimin e një njeriu që në vend të fjalëve ka veprat, është arsyeja pse kërkoj mbështetjen qytetare anekënd komunës sonë – nga Ereniku e Reka e Keqe, deri te Fushat e Dushkajës e rranzë Pashtrikut të Hasit legjendar.
Gjakovës dhe banorëve të saj, që i kanë dhënë shumë vendit dhe kombit, i duhet një zë i denjë, i drejtpërdrejtë e përfaqësues për të gjithë,” shprehet Mamusha.
Ai u bën thirrje qytetarëve që më 12 tetor të mbështesin Ardian Gjinin për kryetar, ndërsa për Asamble me numrin 13 të votojnë Amir Mamushën.
Ky është njoftimi i plotë i tij:
Të nderuar qytetarë të Komunës sonë, me përkushtim dhe ndjenjë të thellë përgjegjësie ndaj së ardhmes së përbashkët, kam vendosur të kandidoj në zgjedhjet lokale të datës 12 tetor 2025, si pjesë e ekipit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i rreshtuar pranë kryetarit Ardian Gjini, për të çuar përpara punët e mira që kanë nisur për komunën tonë. Unë jam Amir Mamusha, një aktivist dhe zë i vazhdueshëm i qytetarisë aktive dhe angazhimit të sinqertë. Kam qenë pjesë e shoqërisë civile për më shumë se një dekadë. Organizator i shumë iniciativave që kanë pasur për qëllim fuqizimin e komunitetit, përfshirjen rinore dhe përmirësimin e jetës qytetare.
Kjo kandidaturë është një vazhdimësi e natyrshme e rrugës sime, një hap i qëllimshëm për të kontribuar edhe më shumë – tashmë në një nivel më të lartë të vendimmarrjes lokale. Synimi im është i qartë: të fitoj besimin tuaj për t’iu shërbyer me ndershmëri, përkushtim dhe vizion – gjithnjë në frymën e punës së palodhshme të kryetarit Ardian Gjini, i cili ka dëshmuar se puna dhe përkushtimi janë themeli i zhvillimit të qëndrueshëm të Gjakovës. Faleminderit për mbështetjen tuaj!