09:15 / E Martë, 26 Janar 2021 / OSH

Analistët: Vjosa vështirë ta arrijë postin e presidentit, Haradinaj po luan një rol unifikues

Analistët politik në emisionin Debat Plus kanë folur për situatën e fundit në vend.

Ata kanë diskutuar rreth asaj se si po sillen partitë politike në mes vete.
Analisti Arton Demhasaj si dhe Imer Mushkolaj, kanë thënë se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe kryetari i saj i cili njëherësh është edhe kandidat për president Ramush Haradinaj, po tregojnë një gjuhë të kujdesshme drejt partive të tjera.

‘Në aspektin strategjik AAK po vepron mirë. Ka një tendencë të qartë që AAK e NISMA po e sulmojnë PDK për të marrë elektorat, por njëkohësisht vërehet një fjalor i kujdesshëm i AAK posaçerisht i Ramush Haradinajt i cili po synon pozitën e presidentit dhe po synon me ndërtu një narracion të një presidenti në ardhje, që është i kujdesshëm duke mos i sulmuar partitë politike, duke u treguar i arsyeshëm’, tha Demhasaj.

Ndërkaq, analisti Mushkolaj thekosi se kandidatja tjetër për presidente, Vjosa Osmani e ka të vështirë ta arrijë këtë pozitë për shkak të acarimit me PDK dhe LDK, ndërkaq vlerësoi rolin e Haradinajt në relativizimin e situatës mes partive politike në vend.

‘Momentalisht e kemi një depolarizim të tejskajeshëm të skenës politike, dhe pozita e presidentit lidhet me afrimin e partive politike, andaj mendoj që Vjosa për shkak të acarimit me PDK dhe LDK e ka kogja te vështirë me arritë te pozita e presidentit, e z. Haradinaj është duke u munduar ta luaj këtë rol, pra të një relativizimi të situatës çfarë është duke e lejuar që partitë të bashkohen siç kanë qenë kur nuk ka pasur revanshe kaq të ashpra’, tha Mushkolaj.