Analistët: Dështimi për të respektuar afatin çon në shkelje të Kushtetutës

Afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, po kalon në një moment të ngërçit politik.
Analistët vlerësojnë se çdo dështim për ta realizuar këtë proces deri më 26 korrik mund të çojë në shkelje të Kushtetutës nga të gjitha palët e përfshira.
Sipas tyre, pa ndonjë sqarim të saktë nga Kushtetuesja për hapat pas skadimit të afatit, situata mbetet e paqartë dhe kërkon një zgjidhje të shpejtë.
Kanë mbetur edhe pak ditë deri në përfundimin e afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, shkruan RTK.
Mirëpo situata politike në vend mbetet e paqartë. Edhe pse aktgjykimi i Kushtetueses ka dhënë afatin kohor për konstituim, ai nuk parashikon hapat që duhen ndjekur në rast të mosrealizimit të këtij procesi deri më 26 korrik.
Lidhur me këtë analistët shprehin shqetësimin për këtë situatë. Sipas tyre në rast se brenda kësaj periudhe nuk arrihet të bëhet konstituimi i Kuvendit atëherë të gjithë do të jenë shkelës të Kushtetutës.
“Nëse nuk merren vesh brenda këtij afati 30 ditor që është obligim, atëherë të gjithë do të jenë në shkelje edhe deputetët, edhe partitë fituese, edhe të tjerët. Paramendoni një parlament i tërë të jetë në shkelje të Kushtetutës. Kujt do t’i thuhet ti po e shkel, ne s’po e shkelim. Të gjithë po e shkelin”, tha Mazllum Baraliu, analist.
Analisti tjetër, Artan Muhaxhiri, nuk pret ndryshim të situatës edhe pas përfundimit të këtij afati.
“Partitë janë barrikaduar në pozicionet e tyre, hendeku është shumë i madh, dhe Gjykata Kushtetuese nuk ka dhënë ndonjë shpjegim se çfarë mund të ndodhë nëse partitë politike nuk e respektojnë afatin 30-ditor. Sipas gjasave absolute, të cilat tashmë janë dëshmuar, kjo ngjarje do të vazhdojë sërish me fajësimin reciprok mes partisë fituese të zgjedhjeve dhe partive të tjera”, tha ai.
E përpjekja e 46 e konstituimit të Kuvendit të Kosovës është nesër.