Analistët: Epilog i pritur dështimi i sotëm në Kuvend
As Glauk Konjufca nuk arriti këtë të mërkurë që t’i merrte më shumë se 56 vota nga 61 sa i duheshin për t’u ngritur në krye të qeverisë, në atë që do të njihej si qeveria “Konjufca 1” .
Para tij, kishte dështuar që të bëhej kryeministër i qeverisë “Kurti 3” shefi i tij i partisë kur më 26 tetor kishte marrë po kaq vota sa Konjufca sot, vetëm 56 për.
Ky dështim, i dyti me radhë për votimin e qeverisë së re i ka hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme të cilat pritet t’i caktojë presidentja e shtetit pas takimit me drejtues partish politike në vend.
Për politologun, Melazim Koci, epilogu ishte i pritur, e sipas tij, të dyja palët pozita e ish-opozitarët kanë blerë kohë.
“Nuk kishte përpjekje të sinqertë të askujt, as të LVV-së as të opozitës për të bërë qoftë qeverinë e pakicës, qoftë eventualisht një qeveri teknike, që ka mundur të jetë më e mundur e më e lehtë. Epilogu është i pritur, është ajo që kemi pritur, kemi ditur. Opozita kësaj radhe e pati mundësinë. Nëse pohonin që Kurti po synon zgjedhjet me 28 dhjetor, mund ta evitonin këtë datë duke e votuar qeverinë e pakicës, nuk e deshën atë”, tha ai në RTK Prime, që shtoi se nuk dyshon që edhe janë frikësuar.
“Nuk përjashtoj mundësinë që janë frikësuar të dyja palët, që meqë do të ketë zgjedhje për president apo presidente, nuk kanë dashur ta marrin në dorë pataten e nxehtë, sepse e kanë ditur që kërkesa e parë ndërkombëtare do të jetë dërgimi i draftit të Asociacionit në Kushtetuese, e kjo do t’i kushtonte elektoralisht”, tha ai.
Dorajet Imeri, politolog tha se pret që jo më larg se nesër presidentja me dekret do të shpërndajë Kuvendin.
Ai tha se KQZ duhet të fillojë përgatitjet për një palë zgjedhje të reja që në kuptimin teknik nuk mund të jenë më larg se data 28 dhjetor.
“Në kuptimin e politikës, sot ka ndodhur diçka pozitive. Pse është pozitive për mua është se nuk mund të formosh qeveri nëse nuk e ke shumicën në parlament, dhe ky është mësim i duhur për krejt skenën politike. Unë besoj që partitë politike duhet të dinë të lexojnë rezultatin e zgjedhjeve. Nuk mund të prodhohet një shumicë parlamentare si detyrim, nuk mund të prodhohet shumicë parlamentare pa ndarje përgjegjësie. Dhe këtu kush ka hezituar ose kush ka bërë hile, janë qytetarët që do ta vlerësojnë gjithë këtë histori”, tha Imeri Imeri në sudion e RTK Prime.
Analistja, Fatime Hajdari tha se faturën politike do ta paguajnë të gjithë pa përjashtim.
Ajo tha se sot ka qenë e rëndësishme të mos bëhej politikë me ato pika ku afektohet direkt jeta e qytetarëve, e këtu përmendi edhe krizën financiare të RTK-së, ku punëtorët e mediumit publik vazhdojnë të jenë pa paga.
“E rëndësishme ka qenë sot mos të bëjnë politikë në ato pika ku afektohej direkt jeta e qytetarëve. 700 e më shumë familje të punëtorëve të RTK-së do të presin festat e fundvitit me një dilemë të madhe sa u përket pagave të tyre, e kjo është kryekëput për shkak të atyre njerëzve që kanë marrë votë nga qytetarët e Kosovës”, tha ajo.
Analisti, Sadik Zeqiri tha se partitë e deritashme opozitare nuk kanë pasur arsye të votojnë një qeveri ku nuk e kanë askënd të vetin për të quar çështjet e tyre përpara.
“Ata deputetë me deshtë e kishin votuar Kurtin. Nuk është sakrificë e Kurtit që është hequr vetë dhe e ka propozuar Konjufcën, por është dëm që i ka bërë Kosovës për 15 ditë. Më mirë do të kishte qenë t’i thotë presidentes në takimin që ka pasur me liderë politikë që edhe Vetëvendosje nuk k a kandidat, se nuk ka numra. Kur unë nuk i marrë 61 vota nuk mund t’i marrë as Konjufca. Autoriteti i Konjufcës është i jashtëzakonshëm, por nuk është më i madh se i Kurtit”, tha Zeqiri.

