20:13 / E Mërkurë, 27 Qershor 2018 / indeksADMonline

Analistët flasin për dialogun, marrëveshja finale afër

Takimet e presidentit, Hashim Thaçi dhe homologut të tij nga Serbia, Aleksandar Vuçiq janë intensifikuar kohën e fundit. Kurse përveç figurave të njohura deri më tash, të përfshira në këtë proces, Bashkimi Evropian ka vendosur që të shtojë edhe një figurë të re.

Bëhet fjalë për drejtoreshën e Departamentit të Evropës Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, Angelina Eichhorst, e cila pritet që në këtë fazë të dialogut të jetë ndërmjetësuese e Kosovës dhe Serbisë.

Analisti politik dhe publicisti, Shkelzen Maliqi në një prononcim për Indeksonline ka thënë se Bashkimi Evropian po pret që deri në fund të vitit ose në pranverë të arrihet një marrëveshje. Kjo është arsyeja se pse Echhorst pritet të përshpejtojë procesin në aspektin teknik.

“Qëllimi është që Mogherini të ketë një person që është i angazhuar tërë kohën me këtë punë, sepse ajo ka shumë obligime tjera dhe të përshpejtohet procesi”, është shprehur Maliqi.

Sipas tij, elementet tjera të dialogut apo përmirësimi i gjendjes, varët nga palët të cilat dialogojnë, e jo nga Angelina Eichhorst. Analisti Maliqi ka theksuar se Serbia është ajo që zakonisht heq dorë, kurse në këtë rast ai pret që Serbia të kërkojë kompromis sidomos për Asociacionin e Komunave Serbe.

“A do të ketë marrëveshje apo jo, kjo nuk varët nga ndërmjetësuesit por nga palët që dialogojnë, zakonisht në moment të fundit Serbia ka heq dorë, kjo ka ndodh që nga Rambueja, bisedat e Vjenës dhe ka gjasa të kërkojnë patjetër ndonjë farë kompromisi që do të mund të ishte ose Asociacioni i Komunave me shumicë serbe por që pala kosovare nuk do të lëshoj pe duke i dhënë kompetenca ekzekutive”, thuhet në prononcimin e Maliqit.

Të njëjtin mendim sa i përket funksionit të Angelina Eichhorst, e ka edhe analisti Ramush Tahiri. Ky i fundit për Indeksonline, ka thënë se Eichhorst do të shërbej për përshpejtimin e agjendës, duke qenë një lloj koordinatoreje që i përgatit takimet, materialet dhe konkluzionet.

“Ajo do të përshpejtoj agjendën, takimet e përhershme edhe që me qenë permanente, kjo është e mirë në raste të caktuara dhe në raste të tjera të ngjashme. Do të thotë koordinatori teknik i përgatit takimet, nuk len dilemë rreth materialit që përgatitet rreth temave që zhvillohen edhe rreth konkluzave”, ka thënë ai.

Sipas tij, ajo do të shpërbej si ndërmjetësim i mirë por temat duhet të zgjidhen nga palët dhe parimet të ndërtohen nga palët.

“Do të thotë është një ndërmjetësim i mirë, por temat duhet nga palët që të zgjidhen dhe parimet të ndërtohen nga palët,” u shpreh Tahiri.
Ndryshe, drejtoresha e Departamentit të Evropës Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, Angelina Eichhorst pritet që të jetë në kontakt të vazhdueshëm me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe presidentin, Thaçi për qëllim të mbarëvajtjes së dialogut./Indeksonline/