22:01 / E Martë, 31 Korrik 2018 / indeksADMonline

Analistët flasin për dialogun: Opozita të përfshihet në bisedime

Deputetët e Kuvendit të Kosovës as pas një debati prej dhjetë orësh, dje nuk arritën që të harmonizojnë qëndrimet rreth një rezolute të propozuar nga Partia Socialdemokrate sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Me gjithë arsyetimet dhe kundërshtimet, Kuvendi nuk e hodhi fare në votim rezolutën për dialogun, pasi nuk kishte kuorum për të bërë një gjë të tillë, shkruan Indeksonline.

Në Kuvend, partitë opozitare kanë dalë me tri versione të tekstit të rezolutës, e cila nuk u votua në fund të seancës. Përderisa, propozimet e opozitës për dialogun kishin dallime, por nuk pajtoheshin në një pikë, që dialogu të udhëhiqet nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Lidhur me këtë, analistët mendojnë se i pari i vendit e ka të drejtën që të jetë në krye të dialogut mes dy vendeve që mbahet në Bruksel.

Analisti politik, Imer Mushkolaj ka thënë për Indeksonline se inatet politike nuk po e bëjnë të mundur arritjen e një konsensusi për bisedimet.

Sipas tij, faza finale e dialogut me Serbinë është shumë e rëndësishme, andaj partitë politikë opozitare nuk duhet ta lënë procesin në dorë të Hashim Thaçit, duke e lejuar atë që të jetë në krye të procesit, pa marrë legjitimitetin nga Kuvendi.

“Thaçi mund ta udhëheq procesin, por vetëm pasi të ketë marrë legjitimitetin në Kuvendi. Ai, sipas kushtetutës, e ka të drejtën e përfaqësimit të vendit jashtë, por kjo nuk nënkupton se e ka edhe të drejtën të udhëheq, pa bekimin e Kuvendit, procesin e dialogut final me Serbinë. Kosova është republikë parlamentare dhe Kuvendi duhet ta ketë fjalën kryesore”, ka theksuar Mushkolaj.

Kurse, analisti tjetër Shkëlzen Maliqi ka vlerësuar se partitë në opozitë nuk janë aspak unike rreth dialogut e kjo do të thotë edhe rreth platformës.

Sipas tij, para disa ditësh kur PSD propozoi që së bashku me LDK-në dhe Vetëvendosjen të niset mocioni për mosbesim ndaj qeverisë që nënkupton formulimin e platformës së përbashkët për rrëzimin Qeverisë aktuale dhe përpjekjen që, pas zgjedhjeve,  të arrihet një raport i ri i forcave në Kuvend, reagimet kanë qenë negative, mospërfillëse të tipit “Kush jeni ju me na propozuar çka duhet të bëjmë!” .

“Vetëvendosja nuk është marrë fare me çështjen që është shtruar, nevojën për krijimin e një mase kritike deputetësh e cila mund ta mposht mazhorancën dhe rrëzon qeverinë aktuale, por është përqendruar në akuzat ndaj socialdemokratëve se janë duke tradhtuar parimet e Vetëvendosjes, pasi që Shpend Ahmeti me shokët dikur kanë qenë pjesë e Vetëvendosjes! Edhe më keq janë besoj raportet mes VV-së dhe LDK-së, sepse kanë koncepte diametralisht të kundërta rreth dialogut me Serbinë, VV do të dëshironte që ato të mos jenë fare (ende nuk kanë heq dorë nga parolla ‘Jo negociata, Vetëvendosje!’) ose të ndryshojnë radikalisht karakterin, të bëhen biseda mes dy shteteve sovrane, ndërkaq që LDK ka qenë pjesë dhe një kohë edhe udhëheqëse e dialogut dhe nuk mund të pajtohet për një platformë të përbashkët e cila praktikisht në tërësi mohon marrëveshjet që janë arritur deri më sot, çfarë kërkon vetëvendosja”, ka potencuar Maliqi.

Ai ka shtuar se opozita, për fatin e keq të saj, nuk i ka as numrat për të sfiduar seriozisht pushtetin, por bënë zhurmë dhe sulmon pozitën sepse edhe ajo nuk e ka shumicën e nevojshme përderisa Lista serbska, që është pjesë e koalicionit po e bojkoton Kuvendin, mirëpo tregon ashiqare se nuk ka dalë nga qeveria.

Sipas tij, shumica e deputetëve të opozitës nuk e kanë prioritet rrëzimin e qeverisë, dhe këto nisma që po dëgjohen se kinse po mobilizohen për këtë qëllim duket se janë blofe dhe mbledhje poenësh dhe jo demonstrim i forcës reale, që u mungon.

“Një formulim për ‘bisedat në nivel presidentësh’, është bërë publike që nga janari i këtij viti, dhe kjo me automatizëm e kualifikon presidentin Thaçi që të jetë në krye të dialogut karshi partnerit të tij serb. Thaçi ka qenë në të gjitha fazat e bisedave me Serbinë në cilësi të ndryshme dhe nuk mundet tash përnjëherësh të akuzohet për moskompetencë dhe rrezikun që po i kanoset Kosovës nëse ai edhe do të jetë pjesë e marrëveshjes finale! Mua më duket se oponentët e tij ia kanë më shumë inatin dhe zilinë mos Thaçi do të dalë me sukses në këta fazën finale, gjë që do ta çimentonte ndikimin e tij politikë, dhe jo  siç arsyetohen kritikuesit, se udhëheqja e tij do të sjell dështim”, ka thënë tutje Maliqi.

Ai ka theksuar se si çdo dialog serioz, edhe ky ka disa aspekte që mund të përfundojnë jo sipas dëshirave më të mira, mund të ndodh që të bëhet ndonjë koncesion  dhe kompromis, por te marrëveshja duhet çmuar më shumë aspektet e saja kryesore, se a do ta njoh Serbia Kosovën, a do të ketë ulëse në OKB për Kosovën dhe a do të pengohet tentimi që Veriu i Kosovës të bëhet një entitet autonomi dhe i rebeluar, që do ta bllokojë përparimin e Kosovës.

“Përpjekjet për të eliminuar Presidentin Thaçi nga dialogu në të vërtetë synojnë blerje kohe, injorim i këshillave të BE dhe SHBA-ve, dhe mbase pahiri ose nga budallakia, ofertë Serbisë një ndihmë falas që çështja e Kosovës të mbetet në statusin  e konfliktit të ngrirë, ashtu siç kërkojnë forcat radikale antishqiptare në Serbi. Për opozitën do të ishte më mirë që të pranoj ofertën për të qenë pjesë e grupit të unitetit, duke kërkuar garanci se nuk do të jetë në atë grup thjesht për dekor, por me përgjegjësi të plota për mbarëvajtjen dhe pengimin e lëshimeve dhe gabimeve, që marrëveshja gjithëpërfshirëse të jetë e aprovueshme”, ka shtuar Maliqi.

Kosova, siç vlerëson ai, assesi nuk duhet të jetë shkaktare e dështimit të dialogut. Sipas tij, deri më tash kampion i refuzimeve ka qenë Serbia, pasi nuk e ka pranuar marrëveshjen e Rambujës e as planin e Ahtisarit, kurse Kosova po.

“Nuk po them se Hashim Thaçi është ideal, por hajde të shohim se kush do të mund të ishte më i suksesshëm, por edhe që të mos prish punë, siç do të mund të bënte Albin Kurti në bazë të sjelljeve të mëhershme, duke u kacafytur jo vetëm me Serbinë, por edhe përfaqësuesit e SHBA dhe BE që lehtësojnë dialogun?!”, ka përfunduar Maliqi.

Ndryshe, me versionet e rezolutave të paraqitura prej opozitës dje në lidhje me dialogun me Serbinë nuk janë pajtuar partitë në pushtet, sidomos, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Këto dy subjekte politike i kanë dhënë mbështetje Thaçit në rolin prijës në dialog dhe kanë ftuar opozitën që të bashkohet në procesin final të bisedimeve me Serbinë, përmes krijimit të një ekipi gjithëpërfshirës dhe hartimit të një platforme të përbashkët, si qëndrim zyrtar i Kosovës karshi bisedimeve me Serbinë.

Debati për dialogun kishte nisur të premten, por ishte ndërprerë për shkak të vdekjes së veprimtarit politik dhe aktivistit për të drejtat e njeriut, Adem Demaçi./Indeksonline/