75 Mall Live Search
22:23 / E Martë, 25 Nëntor 2025 / MSH

Analistët: Ka munguar vullneti për zgjidhje të krizave financiare

Bllokada financiare, kriza politike e zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit kanë qenë tema të diskutimit në studion e `RTK Prime` këtë të martë.

Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi derisa foli për problemet financiare të kryeqytetit, tha se Komuna e Prishtinës është vonuar për ta miratuar buxhetin sipas afatit ligjor, por tha se megjithatë legjislatura kaluar e Kuvendit të Kosovës ka pasur mundësi të thërriste një seancë deri më 22 mars, kur, sipas tij, kanë pasur mandat.

“Deri më 22 mars, pavarësisht që ka qenë kohë fushate, Kuvendi ka mundur ta miratojë atë buxhet të Komunës së Prishtinës. Përgjegjësia fillimisht është e Komunës së Prishtinës që e ka miratuar pas afatit ligjor, e për këtë do të duhej të kishte sanksione ose pasoja për politikbërësit. Kuvendi ka pasur mandat deri më 22 mars, meqë kanë qenë zgjedhjet e rregullta. Përgjegjësia bie fillimisht mbi kryetarin e komunës dhe shumicën parlamentare në Kuvendin e Prishtinës, pastaj tek kryeministri në detyrë e ministri i Financave, sepse ministri i Financave më 31 janar thotë se ’i lihet legjislaturës së ardhshme ta miratojë buxhetin’, në ndërkohë nuk e ndalon asgjë të mblidhet Komisioni për Buxhet e Financa në Kuvendin e Kosovës ta bëjë rekomandimin, ta dërgojë te kryetari e te Kryesia. Dhe në fund përgjegjësia i bie edhe te Grupi Parlamentar i LDK-së, që si parti që të nisë procedura të caktuara që lejohen me Rregullore të Kuvendit, seancë të jashtëzakonshme ose mbledhje të Komisionit për Buxhet e Financa në mënyrë që ta procedojë për seancë”, tha Jakaj, në RTK.

Berim Ramosaj, profesor universitar tha se gati krejt subjekti i zgjedhjeve, sidomos për Prishtinën, ishte bllokada e kundër bllokada.

“Të dy palët nuk e kanë pasur qëllimin ta zgjidhin problemin, por kush me lënë fajtor kënd, e kjo mendësi ka shkuar deri në fund. Sepse, duke u nisur nga procedurat, faktikisht ata jo që kanë përgjegjësi qytetare, është obligim ligjor. Sepse ligjet i mbrojnë qytetarët e jo vullneti i një kryetari a i ndonjë subjekti politik. Nëse kishin respektuar rregullativën ligjore, nuk besoj se do të kishin ardhur deri në këtë situatë”, tha Ramosaj.

Fatime Hajdari, analiste tha se fatkeqësisht po përdoret diçka që nuk do të ishte dashur të përdorej për fushatë të nivelit qendror, duke hedhur akuza e kundër akuza mes partive, e që sipas saj, po e pësojnë qytetarët.

“LDK e ka pasur momentumin e saj, sikur të ketë dashur të krijojë mundësinë e saj për të dalë nga kjo situatë ka mundur të dërgojë 5-6 deputetë në seancë të votojnë e sot nuk kishin pasur telashe të kësaj natyre, sepse ishte alokuar buxheti për tri komuna, do të bëhej zgjidhje për RTK-në gjithashtu, i kishin proceduar marrëveshjet ndërkombëtare, por ndodhi një hezitim i panevojshëm”, tha Hajdari.

I pyetur nëse të gjitha partitë e kanë shfrytëzuar këtë situatë për fushatë, Sadik Zeqiraj analist, tha se duket se nuk ka pasur disponim nga janari 2025 as nga partia në pushtet e as nga partitë tjerat për të bërë zgjidhje të këtyre problemeve.

Ai Ligjin për Zgjedhjet e përgjithshme e quajti më të keqin që ekziston diku.

“Një njeri voton 10 veta, unë marrë votë në Kaçanik e në fakt unë jam prej Gjakovës. Si kam për të përfaqësuar interesin e kaçanikasve. Ligji duhet të ndryshojë. Asambleja është mirë, prandaj duhet të ndahet në zona edhe Kosova”, tha ai.