13:44 / E Enjte, 05 Nëntor 2020 / OSH

Analistët komentojnë situatën politike në vend pas dorëheqjes së Thaçit

Nga sot Kosova nuk e ka më Hashim Thaçin president të saj. Kjo pasi që ai dha dorëheqje nga detyra, ashtu siç kishte premtuar në rast se i konfirmohet aktakuza. Kjo edhe ndodhi sot, shkruan IndeksOnline.

Nga ky moment siç e parasheh Kushtetua e vendit, drejtimin e shtetit e merr kryetari i kuvendit, e që në këtë rast i bije të jetë kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani.

Se si duhet vepruar tutje ka sqaruar për IndeksOnline, njohësi i Kushtetutës, Mazllum Baraliu.

Ai ka sqaruar se Osmanit nga ky moment i tejkalojnë kompetencat e presidentit, duke qenë ushtrues e detyrës. E kjo mund të zgjas deri në 6 muaj.

“Neni 90, paragrafi 3 e parasheh se në rast të mungesës së Presidentit ose pamundësisë së ushtrimit, i jepet mundësia kryetarit të Kuvendit deri në maksimum 6 muaj, prej momenti të dorëheqjes kushtetua ja tejkalon kryetarit të Kuvendit dhe në këtë rast ajo është udhëheqëse, Vjosa Osmani, derisa të ketë ndonjë kombinim tjetër”, tha Baraliu.

Kosova ka pasur praktika të tilla edhe në të kaluarën, kur dy presidentë janë dorëhequr nga detyra e tyre, Fatmir Sejdiu dhe Behgjet Pacolli. Kjo pasi që Gjykata Kushtetuese kishte kontestuar pozitat e tyre. Derisa Sejdiu ishte kryetar i partisë me funksion të ngrirë, Pacolli kishte marrë pjesë në votim.

“Presidenti deri në prill e ka pasur mandatin e tij. Ndërsa deri atëherë Osmani mund ta ushtrojë pa problem këtë pozitë”, tha Baraliu.

Ndryshe për zgjedhjen e presidentit duhen votat e 81 deputetëve.

Kjo në raundin e parë dhe të dytë. Ndërsa pas herës së tretë mjaftojnë votat e 61 deputetëve për zgjedhjet e tij. Emrat të ndryshëm të skenës politike janë përfolur gjatë kësaj kohe për pozitën e presidentit, si ai i liderit të AAK-së Ramush Haradinaj dhe kreut të LDK-së Isa Mustafa./IndeksOnline/