Analistët: Manipuluesit e votave të përballen me masa ndëshkuese
Procesi i rinumërimit të votave dhe cenimi i votës së qytetarëve në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës dhe nëse kjo situatë mund të çojë në një krizë të re politike në vend u trajtuan si temë në emisionin e sotëm “RTK Prime” me analistë dhe njohës të proceseve politike lidhur.
Profesori Kadri Kryeziu vlerësoi se situata aktuale është e paprecedentë në praktikën zgjedhore dhe parlamentare në Kosovë. Sipas tij, ndonëse raste të izoluara kanë ndodhur edhe më herët, asnjëherë nuk janë paraqitur në këto forma dhe përmasa. Ai theksoi se cenimi i votës përbën shkelje të drejtpërdrejtë të Kushtetutës dhe njëkohësisht vepër penale të sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Kryeziu deklaroi se personat që kanë cenuar votën, duke e vjedhur apo manipuluar atë përmes formave të ndryshme, duhet të përballen me masa ndëshkuese, ndërsa Prokuroria e Shtetit ka për detyrim që në mënyrë eksoficio t’i ndjekë këta persona, veçanërisht zyrtarët që kanë shkelur këtë të drejtë themelore të garantuar me Kushtetutë. Sipas tij, kjo situatë përbën devijim të vullnetit të popullit dhe shndërrohet në fenomen, pasi numri i votave të kontestuara ka tejkaluar çdo praktikë të mëparshme.
Në të njëjtën linjë, politologu Dorajet Imeri theksoi se procesi i votimit është një proces kompleks me shumë hallka, ku përfshihen institucione dhe individë të shumtë, gjë që e bën të ndjeshëm ndaj keqformimit të vullnetit politik të qytetarëve. Ai vlerësoi se dështimi ka ndodhur pikërisht aty ku kanë ndërhyrë partitë politike në procesin zgjedhor.
Sipas Imerit, problemet janë shfaqur në zinxhirin e gjatë të procesit zgjedhor, aty ku partitë politike kanë dërguar komisionerët e tyre. Ai shprehu bindjen se votat nuk janë ruajtur siç duhet dhe se komisionerët, sipas tij, me gjasë kanë manipuluar votat.
Politologu theksoi se një diferencë prej rreth gjashtë mijë votash për një kandidat të caktuar nuk mund të konsiderohet gabim njerëzor dhe as të ndodhë pa pajtimin e më shumë se një individi.
Imeri shtoi se një manipulim i tillë nuk mund të realizohet vetëm në një pikë të procesit, por kërkon ndërhyrje të koordinuar në disa hallka, duke e cilësuar shkallën e ndërhyrjes si “brutale” në rastet kur një kandidati i faturohen mijëra vota më shumë.
Ndërsa analisti Sadik Zeqiri ka deklaruar se manipulimet e votave nuk janë të rastësishme, por rezultat i një marrëveshjeje mes komisionerëve të të gjitha partive politike. Sipas tij, kjo është një dukuri shumë e dëmshme që rrezikon të përsëritet edhe në zgjedhjet e ardhshme.
Zeqiri theksoi se ky fenomen duhet të ndalet urgjentisht përmes ndryshimit të Ligjit për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke iniciuar plotësim-ndryshime në Kuvendin e Kosovës. Ai sugjeroi rikthimin e modelit të listave të mbyllura, si në zgjedhjet e vitit 2000, ose aplikimin e sistemit “një votë për një kandidat”, me qëllim ruajtjen e votës dhe parandalimin e manipulimeve gjatë procesit zgjedhor.

