75 Mall Live Search
14:02 / E Mërkurë, 04 Mars 2020 / indeksADMonline

Analistët me mendime të ndryshme rreth punës së Presidentit

Me ftesën e të dërguarit të posaçëm për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, Presidenti Hashim Thaçi ka qëndruar pardje në Shtëpinë e Bardhë në Uashington.

Në këtë takim Thaçi është takuar me homologun e tij nga Serbia, Aleksandër Vuçiq, siç ka thënë ai për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë.

Njohësit e çështjeve politike kanë thënë se ka më shumë se dy vite që iniciativat e Thaçit e kanë zbehur shtetësinë e Kosovës dhe e kanë forcuar prezencën serbe në Kosovë.

Kështu mendon profesori universitar dhe njohësi i çështjeve politike, Nezir Kraki.

“Ka më shumë se dy vite që iniciativat politike të presidentit Thaçi veç e kanë zbehur shtetësinë e Kosovës dhe e kanë forcuar prezencën serbe në punët e Kosovës. Gjërat janë kaq evidente sa që duhet injorancë e madhe që të mos vërehet dëmi që takimet e tij me serbët ia kanë shkaktuar Kosovës si shtet”, tha Kraki në një përgjigje për IndeksOnline.

I pyetur se a po e dëmton Kosovën ky mosdakordim i presidentit Hashim Thaçi me liderët në vend, Kraki tha se përderisa Thaçi po mundohet që të normalizojë marrëdhëniet Kosovë-Serbi, ajo Serbi në të njëjtën kohë po kontribuon në heqjen e njohjeve.

“Derisa dje Thaçi takohej me Vuçiqin për kinse normalizimin e raporteve dhe njohjen e Kosovës nga Serbia, e njëjta Serbi ia hiqte Kosovës edhe një njohje ndërkombëtare”, u shpreh ai.

Ndër të tjera Kraki tha se Qeveria është i vetmi institucion që duhet të udhëheq me dialogun dhe se presidenti Thaçi duhet të kthehet në vendin e tij, sepse po vepron në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

“Në Republikën e Kosovës, Kuvendi e ka fjalën e fundit për validimin e marrëveshjeve me vende tjera. Thaçi duhet të kthehet në pozitën e tij dhe te mos dhunojë më ndarjen e pushteteve dhe të përgjegjësive politike në nivel shtetëror. Aktualisht presidenti i Kosovës është duke vepruar në kundërshtim me kushtetutën dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila e ka sqaruar çështjen e përgjegjësisë sa i përket dialogut. Është Qeveria që bisedon dhe Kuvendi që validon përmes votës’, përfundoi Kraki.

Po, në të njëjtin mendim nuk është edhe analisti politik, Ramush Tahiri.

Sipas tij, është normale që presidenti Hashim Thaçi të takohet me homologun e tij serb, Aleksandër Vuçiq.

“Jo nuk mendoj se Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi po e dëmton Kosovën vetëm sepse ai me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq është takuar në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, një vend mik dhe shumë i përkushtuar për pavarësinë e lirinë e Kosovës për sovranitetin dhe integritetin territorial”, tha Tahiri për IndeksOnline.

I pyetur se a do të duhej që presidenti Thaçi të raportonte për takim para Kuvendit të Kosovës, Tahiri tha se sipas obligimit kushtetues ai duhet t’i drejtohet Kuvendit të Kosovës.

“E vlerësoj gatishmërinë e presidentit si bartës e udhëheqës i politikës së jashtme që në një mbledhje të veçantë ti drejtohet me një fjalë Kuvendit të Kosovës, si një vullnet dhe obligim kushtetues”, ka thënë Tahiri.

Ndryshe, kritika të shumta ka pasur edhe nga zyrtarët qeveritar për mosdakordimin e punëve të jashtme mes Presidentit Thaçi me kryeministrit Kurti./IndeksOnline/