75 Mall Live Search
21:07 / E Mërkurë, 27 Gusht 2025 / Burim

Analistët: Më parë zgjedhje se zgjidhje

Pavarësisht pritjeve për themelimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve, Kuvendi vazhdon të jetë i bllokuar për shkak të mospajtimeve mes partive politike. Një ndër çështjet më të debatuara mbetet emërimi i nënkryetarit nga komuniteti serb, ndërsa analistët politikë paralajmërojnë sfida të reja në formimin e qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit. Në anën tjetër, partitë politike akuzojnë Lëvizjen Vetëvendosje për bllokim të qëllimshëm të proceseve institucionale.

Java ka nisur me tensione të reja politike në Kuvendin e Kosovës, ku përpjekjet për konstituimin e institucioneve vazhdojnë të përplasen me kriza dhe akuza të ndërsjella. Çështja e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb ka kthyer sërish vëmendjen tek interpretimet kushtetuese dhe qëndrimet politike, ndërsa skena politike mbetet e polarizuar. Analistët thonë se ky ngërç institucional rrezikon të zvarritet edhe më tej nëse nuk arrihet një konsensus ndërmjet partive.

Në këtë situatë, njohësit e çështjeve politike më parë shohin zgjedhjet e reja sesa zgjidhje. Politologu Dorajet Imeri përmend si mundësi bashkëpunimi Nismën Socialdemokrate, ndonjë deputet të pavarur apo edhe një koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës, ndonëse këtë të fundit e konsideron më të largët.

 “Lëvizja Vetëvendosje duhet patjetër të ketë një partner të vogël për të siguruar minimumin e nevojshëm. Por, një partner të madh për të nëse është e interesuar që të sigurojë së paku 80 veta në Kuvendin e Kosovës për të pasur stabilitet së paku numerik. Dy opsione janë, Nisma Socialdemokrate dhe ndonjë deputet tjetër që do të ishte i gatshëm ti japë përkrahje qeverisë ose ndoshta një koalicion me Partinë Demokratike që në sfond duket shumë i largët për të siguruar një shumicë të kualifikuar në Kuvendin e Kosovës”, tha Dorajet Imeri, politolog.

Analisti Artan Muhaxheri thotë se vendi është drejt zgjidhjes së situatës, pasi sipas tij, janë harxhuar të gjitha mundësitë për bllokada. Ai konsideron se çështja e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb ka qenë pengesa e fundit, mund të zgjidhet përmes Gjykatës Kushtetuese. Por, shprehet skeptik për mundësinë që një qeveri e re të formohet me lehtësi.

“Zgjedhja e qeverisë është një proces krejtësisht tjetër, nevojiten konsultime tjera, aleanca të tjera dhe nuk shoh mundësi as nga z. Kurti që të bëjë aleanca me partitë tjera por as partitë tjera në mes vete. Kështu që asgjë përveç zgjedhjeve të reja nuk është një opsion realist”, tha  Muhaxheri.

Ndërkohë, deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për qëllim bllokimi të institucioneve, duke pretenduar se po manipulohet me ndjeshmëritë politike rreth komunitetit serb për të zgjatur këtë gjendje.

Përmes një telefonate, për RTK-në, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, u shpreh pesimiste për zgjidhjen e shpejtë të krizës politike. “Kjo është faza e dytë e bllokadës e krijuar nga partia fituese. Nuk besoj që institucionet do të krijohen shpejt”, tha Kadriaj.