75 Mall Live Search
21:31 / E Mërkurë, 06 Shkurt 2019 / indeksADMonline

Analistët: Pakoja e Ahtisaarit e rregullon edhe çështjen e Trepçës

Maja Kocijançiq, zëdhënësja e shefes së BE-së për Polikë të jashtme Frederica Mogherini, dje ka deklaruar se çështja e Trepçës duhet të vendoset në kuadër të marrëveshjes finale Kosovë-Serbi.

Deklarata këto që i sot i ka ndryshuar, duke thënë se BE-ja nuk ndërhynë në çështjet që palët në negociata i vënë në agjendë.

“Sa i përket çështjes nëse Trepça është pjesë e bisedimeve, Bashkimi Evropian si lehtësues, gjithnjë e ka bërë të qartë se agjenda e bisedimeve caktohet nga Beogradi dhe Prishtina”, ka thënë ajo për media ditën e sotme.

Por deklaratën e djeshme e ka konsideruar si të parëndësishme analisti, Ramush Tahiri.

Ky i fundit në një prononcim për Indeksonline ka thënë se këto deklarata nuk janë presion por budallallëk pasi që pakoja e Ahtisaarit e ka rregulluar këtë çështje.

“Unë mendoj që është një gabim apo budallallëk se që është një presion, sepse pakoja e Atihsaarit e ka rregulluar këtë çështje, pasi që pika 8 e pakos së Atihsaarit thotë që gjithë pasuria e cila është në Kosovë i takon Kosovës, bile edhe pasuria e cila ishte pronë e Jugosllavisë ose e Serbisë e që gjendet në Kosovë, i takon Kosovës”, është shprehur Tahiri.

Ai ka theksuar se çështjet e hapura duhet të vendosen në tavolinë, në dialogun Kosovë-Serbi, por njëra nga këto çështje nuk është Trepça.

“Kjo është çështje e kryme, mirëpo në gjyqet ndërkombëtare Kosova dhe Serbia duhet ta trajtojnë çështjet e hapura që kanë me i trajtu, që konsiderohet që janë të hapura por çështja e Trepçës është mbyllur jo e hapur”, është shprehur Tahiri.

Tahiri ka thënë se ky nuk është qëndrimi zyrtar i BE-së pasi që nuk figuron askund në dokumente, e si rrjedhojë nuk mund të konsiderohet si i tillë.

“Qëndrimi zyrtar nuk mundet me kanë ai që nuk bazohet në dokumente, por në asnjë dokument të BE-së nuk është e paraparë ajo që ka thënë Maja Koncijançiq.

Sipas saj të gjitha çështjet e hapura duhet të përmenden në dialog ku ka përmend edhe Trepçën por nuk ka pasur nevojë se ajo nuk është çështje e hapur”, është shprehur analisti Tahiri.

Por deklarata e Konciançiqit, po konsiderohet si asgjë të re sa i përket qasjes së BE-së në raport me Kosovën, nga njohësi i integrimeve evropiane, Avni Mazreku.

Ai për Indeksonline ka thënë se as në dokumentin kryesor të marrëveshjes për Stabilizim Asoocim, Bashkimi Evropian nuk e njeh sovranitetin e Kosovës.

“Këto deklarimet e fundit te zëdhënëses se përfaqësues së lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, zonjës Konciançiq nuk janë asgjë e re në raport me qasjen e Bashkimit Evropian për Kosovën. Bashkimi Evropian edhe në dokumentit kryesor kornizë të marrëveshjes për stabilizim asoocim që ne e kemi me ata, janë siguruar që të jenë jo njohës, domethënë pa e njoftë statusin final të Kosovës, pra sovraniteti i Republikës së Kosovës nuk njihet nga Bashkimi Evropian. Kështu rrjedhimisht sipas këndvështrimit të tyre që dallon nga qëndrimi i shteteve anëtare është se Kosova nuk njihet si shtet sovran nga ana e tyre”, është shprehur Mazreku.

Ai ka thënë se Bashkimi Evropian është i njëanshëm duke marr parasysh edhe çështjen e taksës të vendosur nga Republika e Kosovës për mallrat serbe.

“Drejtimi i dytë, duke e marr Bashkimi Evropian këtë rolin mediues, në fakt jo vetëm në çështjen e deklaratës së fundit por edhe sa i përket taksës për produktet e importuara nga Serbia nga Qeveria e Kosovës, Bashkimi Evropian është treguar mjaft unilateral, i njëanshëm në këtë drejtim dhe deklaratat e tyre janë shumë kontradiktore. Përderisa ata deklarohen se ne nuk i përcaktojmë temat e bisedimeve, ata në fakt imponojnë tema të caktuara të cilat e prekin drejtpërdrejt sovranitetin e shtetit të Kosovës”, është shprehur ai.

Njohësi i integrimeve evropiane, po konsideron që përfaqësuesit e Kosovës duhet të jenë të kujdesshëm që të zgjedhin çështjet prioritare me Serbinë.

“Prandaj, qeveria e Kosovës përkatësisht përfaqësuesit e Kosovës që marrin pjesë në dialog me Serbinë, duhet të jenë të kujdesshëm që të zgjidhin çështjet e para prioritare e që janë qëndrimi i Bashkimit Evropian në raport me sovranitetin e Kosovës. Imagjinoni sikur të paramendojmë një situatë hipotetike, pasi që qëndrimi final i Kosovës është deklarata për pavarësinë e Kosovës e 17 shkurtit e vitit 2008, Bashkimi Evropian si mund ta imponojnë një element të tillë te Serbia, kur vet BE-ja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës”, ka deklaruar ai.

Rikujtojmë që ditën e djeshme për këtë çështje kanë edhe krerët e shtetit, ndër ta edhe Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ky i fundit pas këtyre deklaratave ka thënë se Bashkimit Evropian i ka humbur rruga në oborr, pasi që një gjë e tillë dëmton sovranitetin e Kosovës.

“Reagimi i BE-së kundër miratimit të Statutit të Trepçës nga Kuvendi i Republikës së Kosovës është dëshmi se BE-së i ka humbur rruga në oborr. Deklarata e zëdhënëses së Komisionit Europian, Maja Kocijancic, dhënë mediave serbe, se Trepça duhet të jetë pjesë e Dialogut është qëndrim i papresedan, i papranueshëm dhe, si i tillë cenon sovranitetin e shtetit të Kosovës. Trepça nuk është çështje e hapur mes Kosovës dhe Serbisë dhe në asnjë moment populli i Kosovës dhe institucionet e saj nuk do të lejojnë krijimin e temave false që kanë qartazi qëllim ndarjen e Kosovës”, kishte potencuar Haradinaj./Indeksonline/