21:41 / E Premte, 03 Maj 2019 / indeksADMonline

Analistët tregojnë se a mund ta gëzojmë së shpejti liberalizimin e vizave

Që nga viti 2010 qytetarëve të Kosovës është duke iu premtuar nga liderët shtetëror se do të lëvizin pa viza.

Mirëpo edhe 9 vite pas, një nga shqetësimet e kosovarëve është mos liberalizimi i vizave. Si pasojë e kësaj , me dhjetëra qytetarë çdo ditë presin para ambasadave për të marrë viza qoftë turistike, familjare apo edhe të punës, njofton Indeksonline.

E sikurse edhe kolegët e tij, edhe kryeministri Ramush Haradinaj vazhdimisht ka premtuar se në qeverisjen e tij do të hiqen vizat.

Por, pothuajse dy vite që nga udhëheqja  e tij me ekzekutivin, Ramush Haradinaj ditë më parë ka uruar liberalizimin e vizave.

“Kosovë, urime liberalizimi”, ka thënë kreu i qeverisë pasi, sipas tij, mori përgjigjeje pozitive nga ministri i Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Horst Seehofer.

E liberalizimin e vizave, Haradinaj e kërkoi edhe në Samitin e Berlinit, ku u takuan liderët e Ballkanit Perëndimor këtë të hënë.

Mirëpo, sipas njohëseve të çështjeve politike në vend, liberalizimi i vizave është më e komplikuar se sa që paraqitet nga liderët.

Demush Shasha nga Instituti Epik, në një prononcim për Indeksonline ka kërkuar nga ata që të mos përmendin data sa i përket kësaj çështje.

Sipas tij, në vend të kësaj, liderët do të duhej të fokusoheshin në sundim të ligjit e në luftën kundër korrupsionit.

“Sa i përket vitit 2019, konsideroj se institucionet e Kosovës nuk duhet të përmendin datat rreth çështjes së liberalizimit të vizave dhe në vend të kësaj duhet të fokusohen në vazhdimin e përmbushjes së të gjitha 95 kritereve që dalin nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave, me theks të veçantë në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit, ku dy vite pas kërkesës së Komisionit Evropian për përmbushjen e kriterit të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ne ende s’kemi asnjë aktgjykim dënues të profilit të lartë”

“Nëse Kosova shënon progres të shtuar në këtë drejtim, procesi i liberalizimit të vizave mund të kthehet në agjendën e institucioneve të BE-së dhe të progresoj në kuadër të gjashtë hapave procedural të mbetur për të siguruar lëvizje të lirë të qytetarëve të Kosovës. Progresi do të nënkuptonte ndalimin e presionit politik mbi sistemin e drejtësisë dhe garantimin e një mjedisi pozitiv, transparent dhe kredibil të sistemit drejtësisë i cili bazohet në punën e njerëzve profesionist, apolitik dhe me integritet publik”, ka thënë Shasha.

Liberalizimi i vizave, sipas analistit Fisnik Halimi, më shumë shfaq krizën që është duke mbizotëruar në Evropë se sa të metat në Kosovë.

Andaj për shkak të kësaj, sipas tij, është e pamundur që të parashikohet se kur do të ketë heqje të vizave për kosovarët.

“Procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën është shndërruar në një proces shumë të ndërlikuar fillimisht si pasojë e vonesave të panevojshme të opozitës së atëhershme kosovare, ndihmuar nga një grup deputetesh edhe të LDK=së, atëherë në pushtet. Pastaj në vigjilje të zgjedhjeve evropiane gjërat janë komplikuar edhe më pasi që Evropa vet ndodhet në një krizë të jashtëzakonshme si pasojë e ngritjes së madhe te të djathtës ekstreme atje”.

 “Çuditërisht çështja e liberalizimit të vizave sot më shumë shfaqë krizën evropiane se sa ndonjë të metë të sistemit në Kosovë. Të gjithë akteret politik në Kosovë duhet pranuar se Kosova ka kaluar me sukses të gjitha kushtet e vëna nga BE.  Për të gjitha këto arsye nuk ka asnjë gjasë që të predikohet nëse do të jetë e mundur të ketë liberalizim vizash as tash e as në të ardhmen e afërt për qytetarët kosovar”, deklaroi Halimi.

Në korrik të viti të kaluar, Komisioneri i BE-së për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos deklaroi se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara për liberalizimin  vizave.

 “Mund të konfirmojmë që Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. Është tash në dorën e Parlamentit dhe Këshillit Evropian të vazhdojnë që të lëvizin përpara me propozimin tonë. Urime institucioneve të Kosovës për punën e tyre të madhe”.

Deri më tani, propozimi për liberalizimin e vizave ka kaluar në disa instanca vendimmarrëse të Bashkimit Evropian.

Sipas zyrtarëve të BE-së, heqja e vizave për Kosovës tani është “në duar” të vendeve anëtare. /Indeksonline/