75 Mall Live Search
10:08 / E Martë, 24 Mars 2020 / indeksADMonline

Analisti i njohur këshillon qytetarët të mos mërziten për debatin në mes të presidentit dhe kryeministrit

Analisti i njohur i çështjeve politike në vend Vigan Qorolli, ka porositur qytetarët kosovar që të mos mërziten me situatën politike kjo pas zhvillimeve të fundit, ku qeveria mori masa shtesë për ndalimin e lëvizje në dy orare të caktuar, e vendim i cili u kundërshtua fuqishëm nga presidenti Hashim Thaçi, transmeton IndeksOnline.

Ai ka thënë se “Qytetarët e Kosovës nuk mund të presin për një debat të gjatë dypalësh mes presidentit dhe kryeministrit të Kosovës për të vendosur se cila është mënyra më e mirë për t’u përballur me epideminë e COVID-19”.

Ai tutje ka thënë se Kosova, aktualisht është e rrezikuar nga epidemia – e cila mund të përhapet në mënyrë eksponenciale, me humbje eksponenciale të jetës së qytetarëve të saj.  Sipas Qorrolli ky është rreziku që i kanoset shoqërisë dhe vendit tonë dhe se  këtë gjë ta mendojnë politikanët, para se të flasin e veprojnë.

Ky është postimi i plotë i tij në facebook:

DUHET TË MOS MËRZITEMI, sepse:

1. Qytetarët e Kosovës nuk mund të presin për një debat të gjatë dypalësh mes presidentit dhe kryeministrit të Kosovës për të vendosur se cila është mënyra më e mirë për t’u përballur me epideminë e COVID-19.

Kosova, aktualisht është e rrezikuar nga epidemia – e cila mund të përhapet në mënyrë eksponenciale, me humbje eksponenciale të jetës së qytetarëve të saj. Ky është rreziku që i kanoset shoqërisë dhe vendit tonë. Këtë gjë ta mendojnë politikanët, para se të flasin e veprojnë.

2. Përkufizimet se kush ka të drejtë kushtetuese, presidenti apo kryeministri, janë më tepër të karakterit politik dhe janë të kontestuesshme. A bëhet me kushtetutë a me ligj, kjo askujt nuk i hyn në punë. Që të dy, edhe Thaçi edhe Kurti, besoj pajtohen se ngjarja në të cilën ndodhemi prej pandemisë është emergjente.

3. Secili shtet i nënshtrohet vetëm një doktrine: sundimit të ligjit. Dhe, edhe nën rrethanat më ekstreme kushtetuese, shtetet nuk janë kurrë dhe as plotësisht të nënshtruara ndaj vullnetit sovran të një individi. Carl Schmit thotë se, “konceptimi i diktaturës sovrane është i pamundur.”

4. Kosova nuk i nënshtrohet as një njeriu, përveç popullit të saj. Ai është sovrani dhe atij duhet t’i përgjigjen të gjitha institucionet e tij. Siç do shprehej pa asnjë mëdyshje, Jean-Jacques Rousseau në “Kontratën Shoqërore”: “Shqetësimi kryesor i njerëzve është që shteti të mos shkatërrohet.”

5. Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut por, edhe praktika e etabluar e GjEDNj në Strasbourg i ndan të drejtat e njeriut në absolute dhe relative. Të parat nuk mund të kufizohen në asnjë rrethanë (psh., ndalimi i torturës), ndërsa të drejtat relative mund të kufizohen (psh., liria e lëvizjes, etj).

Për t’u lejuar kufizimi i të drejtave, duhet plotësuar këto katër kushte:

a. Kufizimi duhet të ketë mbështetje në (ndonjë) ligj;

b. Duhet të bëhet për një qëllim legjitim;

c. Duhet që kufizimi të jetë në përpjestim me qëllimin;

d. Duhet të mos cenohet thelbi i së drejtës.

Kjo vlen gjithmonë, gjithkund dhe në çdo vend demokratik.