75 Mall Live Search
13:42 / E Hënë, 26 Janar 2026 / Z S

Analiza e Halil Matoshit për zgjedhjet në LDK, propozon dorëheqjen e strukturës drejtuese të partisë

Të shtunën e 31 janarit Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbajë kuvendin e saj.

Në këtë mbledhje para anëtareve të partisë, kreu i kësaj partie Lumir Abdixhiku do të paraqes dorëheqjen e tij nga kjo pozitë.

E për kreun e LDK-së të shtunën pritet të garojë edhe ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Lidhur me këtë kuvend, Indeksonline ka kontaktuar analistin politik, Halil Matoshi.

Matoshi për Indeksonline thotë se shpallja e kandidaturës së Hotit është proceduralisht e paqartë.

‘’Lidhja Demokratike e Kosovës është parti shtet formuese dhe mban balancën në shoqërinë dhe shtetin kosovar, ndërmjet nacionalizmit integrist dhe kosovacentrizmit, brenda kornizës së shtetit liberal. Shpallja e kandidaturës së Avdullah Hotit është proceduralisht e paqartë, në rrethanat kur Lumir Abdixhiku ka kërkuar mocion në kuvend pa ofruar dorëheqje të parevokueshme, si akt personal, moral dhe politik’’, thotë Matoshi për Indeksonline.

Më tutje Hoti thotë se nesë Abdixhiku merr votëbesimin në Kuvendin e Kosovës, kandidatura e Hotit bëhet e paobjekt.

‘’Nëse ai merr votëbesimin në kuvendin e LDK-së, kandidatura e Hotit bëhet e paobjekt dhe nuk i nënshtrohet fare votimit’’.

Në fund Matoshi thotë se në LDK duhet të dorëhiqet e gjithë struktura drejtuese dhe të shpallen zgjedhje të reja, në mënyrë që anëtarësia të vendosë për drejtimin dhe lidershipin e saj.

Kuvendi i LDK-së mbahet duke filluar nga ora 12:00./Indeksonline/