Ancelotti i hapur për ta vazhduar kontratën me Brazilin
Samir Xaud, presidenti i Federatës Braziliane të Futbollit, ka lënë të kuptohet se Carlo Ancelotti mund të ketë firmosur tashmë një zgjatje kontrate: “Të dyja palët janë të interesuara”.
Ancelotti u bë trajner i Brazilit më pak se një vit më parë dhe kontrata e tij aktuale skadon në fund të Kupës së Botës 2026, por CBF është gati t’i ofrojë atij një marrëveshje të re që tani.
“Bisedimet tashmë kanë nisur dhe të dyja palët janë të interesuara; po bëjmë disa ndryshime burokratike për të vazhduar punën së bashku,” ka thënë presidenti i Federatës Braziliane, Xaud, për “Lance”, nëpërmjet “TMW”.
“Një zgjatje kontrate para se të nisë Kupa e Botës është shumë e rëndësishme për futbollin brazilian. Gjithmonë kam thënë se besoj te projektet afatmesme dhe afatgjata dhe te puna e strukturuar. Ai e ka dëshmuar cilësinë dhe kompetencën e tij në një kohë të shkurtër, si trajner dhe si njeri. Ai është perfekt për kombëtaren braziliane dhe për CBF-në. Ne duam ta vazhdojmë këtë punë dhe t’i japim më shumë kohë për t’iu përkushtuar futbollit brazilian”, përfundoi ai.
Para se të kalonte te Brazili, Ancelotti ishte pjesë e Real Madridit – për herë të dytë në karrierën e tij – për katër sezone, duke fituar dy herë Ligën e Kampionëve dhe dy herë La Ligan, ndër trofe të tjerë.
Më herët në karrierë, trajneri italian e kishte udhëhequr Evertonin, Bayern Munchenin, PSG-në, Napolin, Chelsean, Milanin, Juventusin e Parmën

