Ancelotti: Neymar është një lojtar i rëndësishëm, nuk do të jetë vendim i lehtë
Carlo Ancelotti ka folur edhe njëherë për situatën e Neymar-it dhe vendimin e tij përfundimtar për Kupën e Botës.
Ancelotti të hënën pritet të publikojë listën e kombëtares së Brazilit, derisa emri i Neymar-it vazhdon të jetë një nga temat kryesore, shkruan IndeksOnline.
Sulmuesi 34-vjeçar është pjesë e listës fillestare prej 55 futbollistëve, derisa nuk dihet a do të jetë në listën finale.
Ancelotti tha se do ta vlerësojë gjendjen e tij fizikie, pasi në vazhdimësi të këtij sezoni, Neymar ka pasur probleme me lëndime.
“Kur duhet të zgjedhësh listën përfundimtare, duhet të marrësh në konsideratë shumë gjëra. Neymar është një lojtar i rëndësishëm për këtë vend për shkak të talentit që ka treguar gjithmonë. Por ai ka pasur probleme dhe po punon shumë për t’u rikuperuar. Kohët e fundit është përmirësuar shumë dhe po luan rregullisht. Natyrisht, nuk është një vendim aq i lehtë për mua. Duhet t’i peshojmë me kujdes të mirat dhe të këqijat.
Ai e ka përmirësuar shumë formën e tij fizike në ndeshjet e fundit. Ai ka luajtur disa ndeshje shumë të mira kohët e fundit. Forma e tij fizike është përmirësuar. Ai mund të mbajë një intensitet të lartë në një ndeshje. Por ka ndeshje dhe ndeshje”, tha Ancelotti në një intervistë për Reuters-in.
Italiani po ashtu tha se ai ka autonomi të plotë në vendimarrje dhe nuk ka presion nga askush për thirrjen e Neymar-it.
“Nuk kam pasur presion nga askush për të thirrur Neymar-in. Kam autonomi të plotë. Vendimi do të jetë 100% profesional. Do të marr parasysh vetëm se si po performon ai si futbollist. Asgjë tjetër.
A mund të hartoj një skuadër perfekte? E pamundur! Por mund të hartoj një skuadër me më pak gabime sesa të tjerët që mund ta bëjnë këtë. Për këtë jam i sigurt”, ka deklaruar Ancelotti./IndeksOnline/

