15:07 / E Premte, 02 Qershor 2023 / mp

Andin Hoti i shkruan Vuçiqit, ia kërkon arkivat për krimet në rajonin e Drenicës

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, ka njoftuar se i është drejtuar me një letër presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas marrëveshjes së arritur në Bruksel për të pagjeturit.

Ai tha se ka kërkuar arkivat , të gjitha informacionet, përfshirë edhe ato të klasifikuara, për Komandën e Brigadës së Motorizuar të 37-të të Ushtrisë Jugosllave, e cila përveç tjerash ka kryer krime në regjionin e Drenicës.

“Në respektim të zbatimit të Deklaratës për persona të zhdukur, e miratuar në Bruksel, Republika e Kosovës pa humbur kohë ka filluar me kërkesat e saj për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Shkresa që po e publikoj këtu, është vetëm shkresa e parë drejtuar Serbisë, për të kërkuar arkivat që do të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me force gjatë luftës.

Ne kemi kërkuar nga Presidenti i Serbisë, të gjitha informacionet, përfshirë edhe ato të klasifikuara, për Komandën e Brigadës së Motorizuar të 37-të të Ushtrisë Jugosllave. Kjo brigadë, përveç tjerash ka kryer krime në regjion të Drenicës. Nga masakrat e kryera në fshatrat e Drenicës nga kjo njësi, ka ende civilë shqiptarë të zhdukur”, ka njoftuar Hoti.

Ai tha se “natyrisht që shkresa e parë fillon me Drenicën, sepse pikërisht në Drenicë, Serbia ka filluar me krimet masive ndaj popullit shqiptar”.